Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Alban Daci
Ne jemi një komb dhe për këtë s’ka dyshime, por, Kosova ka një histori tjetër në lidhje me zhvillimin, evolucionin dhe kulturën shtetërore e demokratike, në dallim me Shqipërinë.
Sepse, për arsye historike që, tashmë, dihen, Kosova dhe shqiptarët në Kosovë kanë bërë betejën e përbashkët qoftë për Shtetin-Komb, ashtu edhe për demokracinë.
E para nuk mund të ndodhte pa të dytën dhe e dyta nuk mund të ndodhte pa të parën. Në këtë këndvështrim procesi i demokratizimit të Kosovës është shume i ngjashëm në fillimet e saj me 13 kolonitë amerikane, të cilat, ndër të tjera, kërkonin të mos paguanin taksa pa pasur përfaqësim demokratik/politik.
Kështu edhe shqiptarët në Kosovë kanë dashur lirinë që vjen përmes demokracisë dhe demokracia ndodh nëse vjen liria. Një individ, që nuk është i lirë qoftë edhe përballë sistemit politik apo përballë një përfaqësuesi politik, ai nuk jeton në demokraci e për pasojë nuk gëzon të mirat që dalin nga demokracia. Pra, në këtë këndvështrim procesi i demokracisë ka kaluar përmes patriotizmit. Shtetin e kanë parë si pasuri e shërbimit të përbashkët e jo si një mundësi për pasurim e përvetësim.
Pra, respekti ndaj institucioneve në Kosovë është konsideruar e vazhdon të konsiderohet si një shërbim ndaj vendit. Demokracia në Kosovë ka ardhur e po vjen me sakrifica të mëdha njerëzore e kjo, sigurisht, për shkak të rrethanave që ka kaluar Kosova në shtet-formimin e saj.
Nëse në fillim të viteve ’90, shqiptarët në Shqipëri e urrenin konceptin e shtetit, sepse atë e identifikonin me diktaturën, në Kosovë shqiptarët në fillimin e viteve ’90 ëndërronin të krijonin shtetin e tyre.
Nëse shqiptarët e Kosovës, në fillim të viteve ’90, kërkonin të bënin shtetin e tyre e të ktheheshin nga emigracioni, shqiptarët në Shqipëri dëshirën e tyre të vetme që kishin ishte: të iknin nga Shqipëria, sepse urrenin modelin dhe formën e shtetit që i kishte qeverisur për vite me radhë.
Uria e shqiptarëve te Kosovës për demokraci ishte njësoj e po aq e madhe sa liria për sovranitetin, shtetin e vendin dhe për të qëndruar në Kosovë e për ta ribërë atë.
Ndërsa shqiptarët, në Shqipëri, dëshirën më të madhe që kishin në fillim të viteve ’90 ishte demokracia si një formë lirie për t'u larguar e për të shijuar Perëndimin.
Kosova, për të gjitha këto procesin e demokratizimit në vend e ka parë si një formë të rëndësishme patriotizmi.
Kosova, edhe pse një republikë relativisht e re, bëri të mundur që Diaspora të votonte, atje ku jeton, pa pasur nevojë për të mbushur autobusët, siç ndodh në Tiranë, në kohë zgjedhjesh. Gjithashtu, mjedisi social dhe ekonomik i Kosovës është krejt ndryshe nga ai shqiptarëve në Shqipëri e për pasojë edhe zhvillimet demokratike atje janë e do të jenë të ndryshme nga Shqipëria.
Shqiptarët në Kosovë kohën e sundimit të Serbisë, institucionet shtetërore i kanë parë me mosbesim.
Në këto rrethana, ata e kanë siguruar jetesën thuajse krejtësisht përmes iniciativës së lirë e përmes emigracionit. Kjo ka bërë që qytetarët e Kosovës të jenë të fortë përballë institucioneve shtetërore e përballë politikës, duke mos e varur jetën e tyre apo punësimin nga ajo.
Kjo ka bërë që shitblerja e votës dhe punësimi të mos kenë sukses në kohë zgjedhjesh në Kosovë.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur edhe vete Diaspora e Kosovës, e cila me miratimin e të drejtës së tyre për të votuar, aty ku jetojnë dhe punojnë ka pasur dinjitet e qëndrueshmëri ndaj politikës e politikanëve pa ndjenja patriotike.
Politizimi i shoqërisë në Kosovë nuk është në maksimum, ashtu siç është në Shqipëri. Në Shqipëri, për punësim, për karrierë, për të jetuar, për të bërë biznes, si dhe për të shpëtuar nga drejtësia duhet jesh militant, t'u shërbesh partive e të bësh vota për ta.
Një dallim tjetër të madhe që ka Kosova me Shqipërinë është edhe shpjegimi i konceptit: rotacion elitash dhe ndërrim pushtetesh.
Në Kosovë ndodhi rotacioni i elitave dhe jo ndërrimi i pushteteve. Prandaj, politikanët shqiptarë në Shqipëri bëjnë mirë të heshtin përballë zgjedhjeve në Kosovë.
Politikani më i ri në Shqipëri ka, të paktën, dy mandate si deputet ose dy mandate si kryetar bashkie.
Asnjëra palë, në Shqipëri, nuk ka se si të marrë model suksesi zgjedhjet në Kosovë e nuk ka se si të identifikohet me modelin e zgjedhjeve dhe mbi të gjitha me fituesin në Kosovë.
Nëse në Kosovë kemi një frymëmarrje reale për ndërrim elitash pas zgjedhjeve të fundit, në Shqipëri kemi një tentativë reale nga të gjitha palët (tashmë të gjithë të vjetër) që të mbajnë monopol politikën dhe të drejtën për të bërë politikë, duke censuruar e duke eliminuar çdo formë të re politike apo çdo individ, që vjen si risi në politikë.
Pa folur për modelin se si është bërë fushata zgjedhore, sa shpejt doli rezultati e që nuk pati kontestime, sepse Kosova është krejt ndryshe nga ne dhe, sigurisht, shumë hapa para nesh.
Ne kemi një elitë politike, e cila po mban peng zhvillimet demokratike në vend e për pasojë edhe të ardhmen europiane të vendit.