Flash News

KRYESORE

Pse protestohet nesër

Pse protestohet nesër

Alfred Lela

Askush nuk i ndalon indiferentët, të kënaqurit, anti-opozitarët, ofiqarët, mbështetësit e pushtetit, të pangeshmit e ngeshëm, weekend-asit, e me radhë, që të mos dalin nesër në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'.

Askush, ama, nuk mund t'i ndalojë të angazhuarit, të zemëruarit, të pakënaqurit, opozitarët, të papunët, të pashpresët dhe shpresëshumët, të zhgënjyerit, demokratët, të pavarurit, socialistët, shqiptarët, që të dalin nesër në shesh.

Sekush e ka një arsye; e gjen një arsye; shtyhet nga një arsye; apo nga një zemëratë.

Kjo pikë ku mund të ngulim kuptimin dhe të drejtën e lirisë së protestës, është më e rëndësishmja, dhe prej saj mund ta zhvendosim boshtin e diskutimit.

E kam këtë shkrim për skeptikët. Ata që nuk besojnë te kauza e opozitës, që e konsiderojnë 'kryengritje të një pale për pushtetin e ikur', e me radhë. Si vulë në këtë zarf të mbyllur mirë me dyllin e mosbesimit, përdorin deklaratat e eurokratëve.

Pretendimi e ka, apo e don, se Basha, Opozita dhe lëvizja e tyre, e ka humbur mbështetjen ndërkombëtare, dhe madje, në rrugë e sipër, ka marrë edhe sulmin e hapur të tyre. Unë bie dakord me sipërfaqen e kësaj premise, por jo me brendinë.

Te përballja Basha-ndërkombëtarë, mendoj se ka një përplasje pushtetesh dhe vlerash. Të cilat nuk janë përjashtuese, por janë eksplicite.

Hahn dhe shpura e euroburokratëve, e shohin problemin shqiptar nga prizmi i pushtetit apo vlerës së Stabilitetit. Për ta, një Shqipëri e qëndrueshme, në formatin institucional, politik dhe shoqëror, është një entitet (njësi) më e gatshme për të eksperimentuar direktivat dhe mbikqyrjen e superstrukturës së Unionit.

Nëse 'hulumtoni' në gjuhën e qëndrimeve, deklaratave dhe retorikës së përgjithshme të ndërkombëtarëve për Shqipërinë, është e lehtë të dallosh fjalën kyç: STABILITETIN. Shqipëria falenderohej, çmohej, promovohej e sponsorizohej për atunë e madhe të të qenit 'faktor stabiliteti në rajon'. Për hir të kësaj teorie, apo paradigme, të pushtetit apo vlerave, europianët, por edhe amerikanët më pak, gjithmonë kanë mbyllur një sy ndaj shkeljeve të brendshme politike e institucionale. Në këta rrathë shkeljesh, kryet e vendit e zënë sidomos zgjedhjet dhe standardet e tyre, por edhe korrupsioni.

Partnerë të brendshëm të ndërkombëtarëve në këto shkelje, kanë qenë të dy krahët politikë: demokratët dhe socialistët. Të dy partitë e mëdha kanë bërë faulla me bashkëpunimin ndërkombëtar në kurriz të tjetrit dhe, (ato maja rripa rripa) i kanë pësuar mbi vete ato faulle.

Stabiliteti ka qenë (mos)arsyeja.

Ja pse, stabilieti, tani më shumë se kurrë, gjendet pas këmbënguljes së paarsyeshme në qëndrimet e eurokratëve në raport me krizën e brendshme që ka gjunjëzuar Shqipërinë. Edhe pse, ngapak, ato që përmend kryetari i opozitës mund të jenë pjesë e tyre, si p.sh. lobimi, propaganda, blerja, etj, teoria e pushtetit me bazë stabilitetin është kryesorja e madhe ndër gjithë të voglat motive.

Pse kështu? Pse këtu? Dhe pse sidomos kësaj here?

Së pari, sepse Europa, më saktë Bashkimi Europian, siç e kemi njohur në këtë dekadën e fundit, është duke u lëkundur (për të mos thënë dështuar) Lart, dhe nuk mund t'ia lejojë vetes të dështojë edhe Poshtë.

Me Lart, lexo 'në veri të kontinentit'. Demonstrim i kësaj është Brexit-i, apo dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Britanikët, nuk janë të vetmit, atje Lart, që kanë e kanë të mbushur plot gotën e euroskepticizmit. Nordikët janë me ta në këtë 'pranverë të mosbesimit'. Danezët iu afruan 'derdhjes së gotës' në zgjedhjet e fundit, dhe po ashtu francezët. Në një BE ku mbi 30 përqind e votuesve janë euroskeptikë, sidomos aty ku 'shpejtësia e Europës' është e lartë (në veri) nuk është shenjë e mirë për superstrukturën.

E cila nuk mund të lejojë përsëritjen e dështimit edhe Poshtë.

Me Poshtë lexo 'apendiksin ende të pahyrë në barkun e BE-së, Ballkanin', emërtimi i të cilit, për ta sjellë në esperanton shpresëpakësuar të europianishtes së superstrukturës, është zëvendësuar me 'Europa Juglindore'.

Eshtë shumë e rëndësishme që, të paktën pezhorativët linguistikë dhe gjeografikë të bien poshtë! Nëse Europa juglindore rri Poshtë dhe nuk ngjitet Lart, nuk ka problem. Shajnia e maskës e bën punën e vet.

Ky është një paradoks që shpjegon Europën e dy mendësive, por edhe atë të dy shpejtësive. Ajo Lart ecën shpejt, ajo Poshtë si breshka.  

Europa Poshtë, ajo Juglindorja apo Ballkani, merr premtimin se do të ngjitet Lart (një ditë), por ndërkohë mbahet poshtë me trusninë se Stabiliteti është parësor, ndërsa Demokracia dytësore. Për të zhdukur dyshimet e një 'hierarkie europiane të vlerave', ku stabiliteti rri më lart demokracisë, vini re milionat e eurove në trajnime, seminare, konferenca e hotele që vijnë nga Europa Lart drejt Europës Poshtë.

Fjala 'demokraci' përsëritet, deri sa fjalës i merren mendtë, nëpër seminare, pra Poshtë, ndërsa në aulat e pushtetit, Lart, nëpër kancelari dhe zyra vendimmarrëse, 'stabiliteti' është në bash të vendit dhe merr çmimet, lëshimet, pajtimet, përqafimet, më të mëdha.

Ka pra, një Europë të dy shpejtësive, Lart e Poshtë, jo vetëm në ekonomi, por edhe në vlera.

Kriza politike në të cilën ndodhet vendi është pasojë, ndër të tjera, edhe e përplasjes së këtyre dy vlerave, të cilat nuk janë përjashtuese, edhe pse eksplicite.

Ka një 'euro-nënçmim' te vendimi i superstrukturave për të mbështetur stabilitetin në dëm të demokracisë. Së pari, është interesi akut, i çastit, i mbajtjes nën kontroll të një rajoni dhe popullate 'mistrece'. Me logjikën se stabiliteti i gjatë mund të prodhojë demokraci, ose se kjo e fundit mund të 'fabrikohet' ngadalë.

Nën këtë syprinë fshihen lëshimet dhe symbylljet për liderët e rajonit që e nisin si liberalë dhe përfundojnë në autokratë. Kjo vazhdon derikur ata bëhen të pakontrollueshëm, dhe eurokratët kuptojnë se i kanë humbur të dyja, si stabilitetin dhe demokracinë.

Partisë Demokratike i ka qëlluar fati historik për t'u takuar sërish me ëndrrën-slogan Liri-Demokraci. Kjo parti dhe shqiptarët që e ndoqën në vitin e largët 1991, kërkuan Demokraci në vend të një stabiliteti, litarin dhe hurin e të cilit e provuan mbi kurriz për 45 vjet.

Në vitin 2017, shqiptarët i duan dhe i meritojnë të dyja: Stabilitetin dhe Demokracinë. Por, jo njërën në kurriz të tjetrës. Aq më pak kur stabiliteti forcohet mbi themele të luhatshme të demokracisë së rrejshme, e cila vjen si pasojë e lulëzimit të industrisë shtetërore të drogës dhe kriminalizimit të politikës.

 

 

 

Të fundit