Flash News

OP-ED

Pse ra euro dhe kush e ngriti?

Pse ra euro dhe kush e ngriti?

Flir Mosho

Deri para disa ditësh ishim të gjithë duke ndjekur me interes  çfarë po ndodhte me kursin e këmbimit të euros me lekun. Gazetarët vërshuan nëpër televizione të shpjegonin fenomenin, secili sipas fushës së Gazetarisë ku ushtrohen. Tregtarë të biznesit eksportues shtuan thirrjet për dëmin që po u shkaktonte kursi bizneseve të tyre. Analistët nuk mbeten pas. Dhe pas gjithë dyndjes së shkrimeve dhe analizave u arrit një objektiv: Detyruan Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë që të dilte në media në darkën e vonë të datës 6 qershor. U duk sikur kaq mjaftoi sepse kursi i këmbimit pas asaj nate u zgjua i gjallëruar. Presioni funksionoi! Fundja ishte një presion i drejtë, pavarësisht pozicionit që mbajtën secili grup. Cudia ndërroi rrugë dhe kurba e euros duket sikur po shkon drejt normalitetit.

Një vit pasi ‘Rilindja’ shpërtheu dyert e shtetit, hyri edhe Cani në Ministrine e Financave. Gjatë kohës kur ish-guvernatori që shkëlqim nuk bëri dot kurrë, drejtoi Ministrine e Financave, u deklarua dhe reklamua si sukses fushata e shlyerjes së borxhit të brendshëm. Opozita ishte shumë e zënë me hallet e veta. Ish-ministrat ishin të zënë me hallet e veta të kallëzimeve të stisura në tentativë ,edhe që të mbulonin me mjergull atë që po gatuhej. Në fund, për të larë një borxh të brendshëm me interes deri në 5%, u mor dhe u përdor një borxh i jashtëm me interesa mbi dyfish më të larta, dhe për më tepër në monedhë të huaj. Që prej viti 2014 borxhi ndërroi ngjyrën e bankënotës me të cilën përfaqësohej. Cim Cani duhet të fillonte shlyerjen e eurobondit, ndaj një eurobond i ri duhej emëtuar. Pa qejf për të firmosur, Ministri Cani bëri tentativën e fundit për të bllokuar emetimin. Dërgoi me një kallëzim të rremë në Prokurori ish-ministrin dhe një pjesë të stafit të Ministrise se Financave. Për ironi, kishte midis tyre votues të bindur të majtë, përve çse ishin pjesë e ekipit që ndërkohë duhet të përgatiste dokumentacionin për eurobondin e ri. Situata arriti në kufijtë e cinizmit kur të njëjtëve njerëz që thirreshin në mëngjes në Prokurori për t'u pyetur për kallëzimin e Canit, zëvëndës-ministrat e Canit ju kërkonin në drekë të hartonin dhe firmosnin dokumenta për eurobondin e ri në një procedure identike me atë të kallëzimit. Cani u kujdes që përpara largimit të certifikonte që e la borxhin 70%.

Sot jemi katër vjet më vonë. Me borxh të nxehtë e të shtuar, me shifrat e pagesave të koncesioneve që janë shifra të mbyllura e të certifikuara për 99 vitet e ardhshme.  Jemi në qershor dhe Ministria e Financave nuk ka hapur ende buxhetin për vitin në vazhdim. Nuk ka në plan ta hapë se s'ka  ç'të hapë. Tabelat e buxhetit që kanë miratuar deputetët kanë qenë një teatër i madh në të cilin maxhoranca bënte sikur miratonte buxhet dhe opozita kundërshtonte për hatër të rolit. Ekonomia është në impas total. Është vështirë të ndikosh në kurse këmbimi kur ekonomia ecën. Por, në kushtet kur  çdo gjë pluskon, mjafton t’i japësh një të shtyrë dhe shkon andej nga i duhet dikujt. Kjo ndodhi me euron. Nuk ka asnjë logjike ekonomike që të bindë që monedha e një vendi ekonomia e të cilit ka stopuar, forcohet.

Unë hyj tek ata njerëz që besoj se nuk ka trafik narkotikësh qe justifikon rënien e kursit të këmbimit të euros ndaj lekut. Ai trafik është biznes. I mirë ose i keq, kjo është çështje tjetër që s’ka lidhje me kursin e këmbimit. Transaksionet e atij biznesi bëhen diku gjetkë dhe asnjë prej tyre nuk bëhet në monedhën vendase. Leku nuk u forcua! Cmimet në lek nuk ndryshuan. Ndryshoi vetëm kursi i këmbimit! Ndryshoi Kursi i këmbimit në lek i një monedhe në të cilën që prej vitit 2014 është konvertuar borxhi publik. Artificialisht! Dhe aq shumë sa nuk mund të ndodhte vetvetiu. Ndaj presioni i të gjithëve bëri mirë. Guvernatori doli dhe deklaroi që do vinte dorë në treg. Kam përshtypjen se, që atë darke që doli bëri ve ç një gjë: hoqi dorën që kishte futur në tregun e monedhës. Dhe mirë bëri! Cilado qoftë nevoja që ka sot qeveria për të ngarkuar shqiptarët me borxh të ri, duhet të peshohet me shifrën e vërtetë të borxhit. Banka e Shqipërisë nëse nuk bën dot gjë, le të rrijë e të bëjë sehir. Se për të ngatërruar gjithë shifrat është boll Kryeministri. E bën mirë atë punë edhe i vetëm.

çdo rast kjo turbullirë e kursit të këmbimit një efekt ndërkohë e ka prodhuar.... kush bleu shumë Euro dhe lirë, nesër do ketë më shumë.... dhe shumë në këtë vend mund të blejnë vetëm oligarkët.

 

 

 

Të fundit