Flash News

OP-ED

Pse Rama e do me çdo kusht shembjen e Teatrit Kombëtar?

Pse Rama e do me çdo kusht shembjen e Teatrit Kombëtar?

Red Varaku

Pas 30 Qershorit, Edi Rama e ka humbur qetësinë. Ai ka mobilizuar një ushtri të tërë mbushur me militantë të papërgjegjshëm me uniformë dhe pa uniformë, të cilët po prodhojnë një dhunë të pashembullt  në gjithë vendin ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij, që refuzuan farsën e 30 Qershorit.

Gjashtë vjet pas fitores së tij, Shqipëria është e mbushur me njerëz me fytyra të gjakosura, të rrahur nga pushteti, të poshtëruar dhe frikësuar për vendin të punës dhe bukën e gojës, njerëz të varfër, pa përkrahje, që plasen burgjeve, ose njerëz të cilëve iu shembën bizneset dhe shtëpitë, njerëz të kapur nga ankthi pa fund se ky njeri nuk do të ikë kurrë, por do të vazhdojë të qëndrojë si kufomë, era e të cilit kutërbon.

Pra, kryetipari i pushtetit të tij është dhuna dhe shantazhi.

Dhuna dhe shantazhi është shndërruar në simbolin e qeverisjes së tij. Nëpërmjet dhunës dhe shantazhit erdhi në pushtet. Nëpërmjet dhunës dhe shantazhit e mbajti pushtetin në mandatin e parë. Nëpërmjet dhunës dhe shantazhit e fitoi përplasjen me median kritike. Nëpërmjet dhunës dhe shantazhit i fitoi zgjedhjet para dy vjetësh. Me dhunë dhe shantazh kërcënon opozitën. Me dhunë dhe shantazh po i mbyll gojën kritikëve brenda dhe jashtë PS. Me anë të dhunës dhe shantazhit po zhduk çdo oponencë.

Sapo mori pushtetin me marrëveshje në vitin 2013, ai filloi menjëherë represionin dhe shantazhin.

Nëpërmjet dhunës së pushtetit filloi të shkatërronte me tritol pronat dhe pasuritë e kundërshtarëve të tij, sigurisht nën ngjyrat dhe fasadën e luftës kundër ndërtimeve pa leje. Me anë të dhunës nënshtroi institucionet e drejtësisë. Me anë të dhunës nënshtroi median kritike dhe së fundmi me anë të dhunës ekonomike largoi gjysëm milioni shqiptarë.

Prej gati 21 vjetësh ky njeri ka treguar, se e vetmja rrugë që njeh për të realizuar qëllimin e tij është dhuna. Ky njeri i sëmurë për pushtet nuk ka asnjë histori paqe as me veten, as me shqiptarët.

Në fakt ia ka dalë që nëpërmjet dhunës të gjunjëzojë të gjithë Shqipërinë. Madje edhe ata të cilët dikur talleshin dhe qeshnin me të, sot i janë nënshtruar dhe i thurin lavde dhe lëvdata.

Vetëm ndaj një grupi të vogël qytetarësh nuk po ia del dot. Një modeli qytetarësh që pasuri dhe forcë ka vetëm pastërtinë dhe integritetin. Një modeli qytetarësh që nuk shëtit me makina luksoze, që jeton me njerëzit dhe nuk jeton në rezervate të pasurish, izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Ç’nuk ka bërë për t’i blerë! Kë nuk ka futur për t’i trembur dhe bërë presion! Nuk ka lënë gur dhe dru pa lëvizur për t’i detyruar këta qytetarë që të heqin dorë nga Teatri Kombëtar.

Fakti që nuk po ia del dot të nënshtrojë një grup të cilin me nënvlerësim dhe përçmim e quajti “minorancë” , e ka bërë edhe më të vendosur për ta çuar deri në fund çmendurinë e shembjes së Teatrit.

Dhe këtë nuk e bën nga nevoja e madhe për një Teatër, sepse dihet që njē teatër i ri nuk hyn në nevojat imediate të qytetit, por e bën sepse protesta e qytetarëve që po mbrojnë teatrin në një përpjekje unike mbase në të gjithë botën për gati një vit e gjysëm, po kthehej në një kërcënim serioz të imazhit të tij.

Këtë nuk po e bën sepse aty do të grabisë rreth 200 milionë dollarë nga trualli publik. Ka plot vende ku mund ta shuajë etjen për pasuri. Ai kërkon ta shembë atë, jo sepse e urren arkitekturen apo sepse kërkon të mbetet në histori. Ka bërë plot gjëma që e kanë futur tashmë në histori.

Ai kërkon ta shembë atë, sepse ai e ka makth pastërtinë e qëllimit të njerëzve që e mbrojnë atë. Ai do ta shembë atë sepse ajo është kthyer në simbol të rezistencës qytetare. Është kthyer në kalanë e fundit të demokracisë.

Sepse, ai as që e kishte menduar fuqinë e madhe që mund të prodhojë qëllimi i pastër i disa njerëzve me integritet, të cilët prej gati një viti e gjysëm janë angazhuar pa ndalim në protestën dhe rezistencën më të gjatë të historisë shqiptare.

Teatri Kombëtar duket se po kthehet në një monument të shenjtë të rezistencës për qytetarët shqiptarë. Marrëzia për të shpëtuar degradimin e regjimit me shëmbjen e Teatrit Kombëtar nuk e shpëton dot hajdutin psiqik. Edhe pse angazhoi 'shumëfytyrëshin e bashkisë' të merrej personalisht me këtë çështje, sërish nuk po bëhej gjë.

Në fakt, projekti mori jetë verën e shkuar dhe plani ishte që këtë tetor të miratohej. Nuk ndodhi pasi nga vjet në shtator e deri tani skandalet e kësaj qeverie, nuk kanë reshtur gati çdo javë. Sidoqoftë objektivi është i qartë. ‘Armiku’ duhet mposhtur, tashmë duke e shembur atë pikërisht tani, në pikun e vapës dhe pushimeve ku vigjilenca qytetare është shumë e ulët dhe kur shumica e qytetarëve janë me pushime dhe larg Tiranës.

Pra, objektivi kryesor i Ramës fillimisht mbase ka qenë të vjedhë truallin publik. Mbase ka qenë të ndërtonte një Teatër të ri duke i grabitur fondet me PPP, ashtu siç di vetëm ai, por sot ai luftën me Teatrin e ka jetike, sepse Teatri është kthyer në simbolin qytetar të rezistencës më emblematike kundër regjimit të tij.

Kjo situatë që është prodhuar pikërisht nga mungesa e një objektivi të qartë për Teatrin, dhe nga një qartësi e madhe për ‘armikun’ që fsheh brenda saj Teatri, na ka bërë që sot të debatojmë për gjëra që nuk kanë lidhje me objektivin e Ramës.

Ata që mbrojnë mosprishjen e Teatrit si simbol të arkitekturës dhe historisë që ai përfaqëson, nuk e dinë se sot Rama nuk ka asgjë me Teatrin si ndërtesë.

Ndërsa pala tjetër që mbron argumentin e një Teatri të ri, duke shembur të vjetrin, nuk e kuptojnë që Rama as që do t’ia dijë për shqetesimin e tyre për një Teatër të ri.

Edi Rama e ka shumë më të thjeshtë objektivin.

E do të shembur Teatrin me qëllimin e vetëm që t’i japë fund të vetmit model rezistence dhe qytetarie, që ka forcën morale për të rrëzuar çdo sistem.

Të fundit