Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Alfred Lela
Kryeministri i është drejtuar sot shqiptarëve nga një aktivitet me rastin e 107 vjetorit të Policisë së Shtetit. Në stilin e tij ku pakujdesia për ceremonialin zyrtar bashkohet me ravgimin për batuta që kapin titujt e portaleve, shefi i qeverisë edhe sot e ka përdodur si pretekst komunikimi foltoren e ngritur para uniformave blu të Republikës.
Rama së fundmi është në transhenë e dy betejave me armiq në pamje të parë efemerë, të vagullt dhe xhelatinozë. Grupin KÇK (Kap çfarë të kapësh) dhe ansamblin Kazani, ku kryeministri përmbledh portale, gazetarë dhe analistë që janë në kundër-tempo me politikat, retorikën dhe mënyrën me të cilën ai sheh botën dhe Shqipërinë.
KÇK grupon individë në sistemin e drejtësisë të cilët, sipas shpjegimit të Ramës, duke e ditur se instalimi i sistemit të ri është afër finales, shfrytëzojnë rastin që të kapin plaçkën e fundit duke e ditur se do të mbeten jashtë dhe nuk do të ketë më plaçkë për të bërë.
Sipas kësj logjike në drejëtsinë e erës së re të Ramës këta individë nuk do të pluskojnë mbi barqet e rrumbullakosura me marifete dhe ryshfete dhe në vend të tyre do të ketë virtuozë të padyshueshëm. Duke mos dyshuar për asnjë çast se ekziston një kor 'kap ça të kapësh', nuk mund të ketë dyshime gjithashtu se Kryeministri bëhet i pabesueshëm kur e kategorizon të keqen si njësi e cila mat vetëm palë, grupe dhe interesa që janë përballë ose kundër tij. Edhe më shumë i dyshimtë bëhet kur mundohet ta kategorizojë atë që ndodh në Shqipëri si luftë mes së mirës dhe së keqes dhe veten si kalorës së të parës.
Kësisoj duke i ruajtur vetes atribute misionari apo shenjtori.
Bindja, jo vetëm te autori i këtyre radhëve, por edhe perpeptimi i gjerë publik është se lufta politike në Shqipëri tashmë ka degjeneruar në kanosje dhe shantazhe mes dy palëve të së keqes. Asgjë tjetër nuk e shpjegon transin e përgjithshëm politik, shoqëror dhe kulturor që ka përfshirë vendin. Asgjë tjetër nuk e shpjegon skepticizmin dhe cinzimim me të cilën asociohet opozita dhe aksionet e saj.
Publiku, me anë të apatisë së përgjithshme, e paraqet veten të painteresuar për të marrë anë duke e ndjerë se asnjëra prej betejave dhe rrjedhimisht fitoreve nuk do të jetë e tija dhe nuk do të përfaqësojë atë që quhet interes publik.
Kryeministri nuk duhet dyshuar as në gjuhën e tij belicioze ndaj kazanit mediatik. Eshtë e vërtetë se ka fake neës, se ka shpifje, se ka qarkullim gjysmë të vërtetash dhe faktesh alternative, se ka gjoba, se ka qoka, se ka njëmijë të zeza që rrjedhin çdo ditë nga gjeratorja mediatike. Siç nuk duhet dyshuar as se nga kjo gjeratore dalin dy duar në drejtim të kryeministrit: njëra e përkëdhel dhe tjetra e godet.
Kush mund të ngrihet e të hedhë fjalën e cila thotë se dora përkëdhelëse ka në të një dorashkë, lënda e së cilës rrëshqet, si luspat e peshkut, çdo gjë që ka në përbërje lajme të rreme, gjoba, qoka e të tjera.
Kryeministri me anë të këtij komunikimi 'anti' konfirmon edhe një paradoks të artikulimit ose edhe të politikave të veta qeveritare. I cili është ky: sa kohë që ligji i medias tashmë ka kaluar (pengesa që i ka nxjerrë Presidenti me mosdekretim është e përkohëshme), por edhe instalimi i mekanizmave të sistemit të drejtësisë është thuasje në fund, nevoja për gjuhën 'anti' bie.
Në komunikimin politik gjuha është mjeti i pakicave, qofshin ato politike si opozita apo etnike etj., për të kompensuar pafuqinë dhe për të sensibilizuar opinion mbi një çështje apo tjetër. Qeveritë kanë më pak nevojë për 'gjuhë' duke qenë se kanë instrumente të tjerë si ligjet, vendimet, reformat etj.
Fakti që Rama e kapërcen këtë paradoks dhe qeveris me 'gjuhë' dëshmon se ai kërkon të komunikojë dhe të lidhet me sentimente popullore dhe jo politika qeveritare.