Pse RENEA ishte në aksionin e shembjes së TK, Lleshaj: Kishte dyshime për lëndë eksplozive

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në replikë me deputeten Fatjona Dhimitri dha sqarime se pse forcat RENEA ishin të pranishme gjatë natës së shembjes së godinës së teatrit.

“Kam kërkuar të gjithë numrat e identifikimit dhe emrat e policëve që kanë marrë pjesë në protestën e 17 majin, por nuk më kthyer përgjigje. Nuk e dimë akoma nëse në protestë kanë marrë pjesë policë apo kanë qenë të infiltruar nga struktura kriminale. Edhe në vrasjen në Laç, vrasësit me uniformë policie ishin, kjo nuk na duket ndonjë çudi. Forcat RENEA përdoren për raste pengmarrjesh.

Po cilët ishin pengmarrësit në këtë rast? Artistët? Raportorët? Apo qytetarët. Pengmarrësit jeni ju zoti ministër, pasi po merrni peng historinë dhe po e shembni kulturën demokratike të një populli. A jeni ju i informuar për procedurat e shembjes së teatrit nëse po, na vini në dispozicion ne deputetëve, datën, vendimet, dhe procedurat e ndjekura?!”, tha Dhimitri.

“Sa i përket pse RENEA ishte aty se kishte nevojë për kontrollin e godinës, për të cilin ishin bërë aludime se do përdoret forcë, kishte dyshime se mund të kishte lëndë eksplozive, dhe para shkatërrimit të godinës RENEA me njësinë anti-eksploziv ka bërë verifikimin e godinës për të parandaluar rreziqet që mund të buronte për qytetarët”, u përgjigj ministri.