Flash News

OP-ED

Pse shqiptarët 'e refuzuan' referendumin për emrin e Maqedonisë

Pse shqiptarët 'e refuzuan' referendumin për emrin e

Emad Mehmeti                

Pas dështimit të referendumit në Maqedoni për ndryshimin e emrit të shtetit, shumëkush do i shpjegojë arsyet pse dhe si ndodhi që shumica e votuesve të jenë të ‘pandjeshëm’ ndaj të ardhmes së vet!? Dhe nuk do mungojë shpjegime racionale, si për shembull analizat për listat e fryra zgjedhore me emra fiktiv, që ne zgjedhjet parlamentare e vendore, u mundësonin partive t’i manipulonin ato dhe të merrnin edhe votat e të vdekurve.

Pa dyshim se sa u përket votuesve shqiptarë, dy janë arsyet kryesorë për daljen e dobët të tyre në referendum: rinia që ka braktisur vendlindjen si dhe ecja e lodhshme e shqiptarëve të këtushëm drejt Perëndimit, me në krye BDI-në dhe Ali Ahmetin. Pra, të kryesuar nga ata që vlerat properëndimore i përdorën vetëm për të ndërtuar shtet partiak, për ta manipuluar popullin e vet dhe për t’i fsheh keqpërdorimet që bënin.

Po pra, guximi dhe mençuria rinore shqiptare – pa të cilët një shoqëri nuk mund të ecë përpara – prej moti e ka braktisur Maqedoninë dhe tani më jeton në BE dhe NATO. Rini e cila tani as që merret me emrin e shtetit të lindjes, i cili ndaj tyre u soll si të ishin të padëshiruar e të tepërt. Rini e rritur duke i dëgjuar thirrjet e rrejshme disadekadëshe të Ali Ahmetit për në NATO dhe BE, e që në të vërtetw, duke e përkrahur regjimin antishqiptar të Gruevskit, i solli shqiptarët këtu ku ndodhen sot: në një Maqedoni ku vlerë nuk është as Perëndimi as NATO-ja, por vetëm libreza e BDI-së!

Dështimi i referendumit për emrin e Maqedonisë shpjegon edhe të vërteton se në këto hapësira, u shtua numri i atyre që  besojnë se qarqet Perëndimore janë ato që i mbështesin dhe i përkrahin politikanët tanë hajdutw e të korruptuar, edhe atë vetëm pse si të tillë janë lehtë të manipulueshëm. Pra u shtua numri i atyre që shtrojnë pyetjen logjike: si u bë që vlerat perëndimore t’i promovojnë ata që na i vjedhin votat dhe që e plaçkitin popullin!? Dhe si është e mundur që këta hajdutw të jenë të besuarit e Evropës demokratike!?

Pa dyshim se tani shumëkush do jep shpjegime pse dështoi Referendumi për emrin e Maqedonisë. Dhe mbase nuk do gabojnë nëse arsyet do i kërkojnë edhe përtej inateve të opozitës maqedonase dhe e thonë të vërtetën se sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata janë proevropjanë e pro NATO-së siç kanë qenë gjithmonë, por tani kanë mbetur pa rininw e vet. Si dhe të shtojnë edhe pjesën e dhembshme të rrëfimit: shqiptarët e Maqedonisë janë lodhur duke ecur drejt BE-sw dhe NATO-s, me në krye Ali Ahmetin dhe të ngjashmit si ai, e të cilët, orientimin properëndimor të shqiptarëve të këtushëm e keqpërdorën për interesa personale dhe për të mbetw përjetësisht në pushtet!

*Autori është gazetar nga Shkupi. 

Të fundit