Pse ‘u skuqëm’ më shumë për përgjimet e Ervinit sesa për ato të Saimirit?

Gentian Gaba 

Ka shpërthyer një skandal në botën online. Po flitet, komentohet, gjykohet, përbuzet, përçmohet një shkëmbim mesazhesh i deputetit Ervin Salianj me një bashkëbisedues(e) me inicialet GD. Sipas hamendësimeve, të atyre që kanë kryer përgjimin, GD përkon me Grida Dumën; sipas Salianjit GD përkon me dikë tjetër. Por, pak rëndësi ka në këtë moment; ajo që merr peshë pas daljes së këtij spiunimi është përdorimi i një bisede private të një deputeti, për ta kthyer në një mëkat kolektiv të opozitës.

Sigurisht, Salianji është i qortueshëm për karakaterin e fjalorit të përdorur në një bisedë private; jo sepse ato fjalë kanë thyer “virgjërinë” e lexuesve namuzqarë, por sepse ajo bisedë u filmua në brendësi të sallës së Parlamentit dhe gjatë orëve të ditës, në të cilat deputeti paguhet nga taksat e qytetarëve për të ‘sharë’, por qeverinë, jo bashkëbiseduesi(e)n GD.

Sot është dita e tretë nga dalja e lajmit, dhe jemi afër limitit të jetëgjatësisë së çudirave të tilla; gjykimin final do t’u mbetet qytetarëve të qarkut të Korçës, në momentin që do të kenë edhe një herë përpara fletën e votimit me siglën e partisë në të cilën Salianji do të garojë.

 Këtu çështja është një tjetër.

Ajo që mbetet realisht për t’u komentuar, në turravrapin e portaleve dhe popullit të fejsbukut, për të fituar garën morale të spiunëve nga vrima e çelësit të rrjeteve sociale, është dëshira e papërmbajtshme për të goditur opozitën.

Në garën për ta shndërruar këtë shkëmbim të “nxehtë” në një krizë morale të së djathtës shqiptare, madje edhe në një krizë politike të përmasave të “Watergate”, nga intensiteti i fokusimit në të, vendin e parë e zë gazeta Tema. Të dytin e fituan të gjithë ata që kanë Bazen si yllin e tyre polar të veprimit gazetaresk. Vendi i tretë zihet nga një numër i madh personash, jo paritakë, të cilët ranë pre e një fenomeni mjaft normal për psikologjinë e errët të njeriut. Bëhet fjalë për atë ndjesinë e pavetëdijshme të shpagimit kur zbulojmë se ata që janë të sukseshëm, të njohur dhe mediatikë, e kështu me radhë, ndajnë me ne të njëjtat defekte. Me pak fjalë, i zbulojmë të gabueshëm si vetja, jo ëngjëllorë, sikurse përpiqen të duken të gjithë ata që na e shesin sapunin e tyre për djathë.

Duke ndarë kështu popullin e fejsbukut nga ai që në fejsbuk punon për t’i dhënë bukë barkut të opinionit publik, lind pyetja: Përse disa gazeta dhe portale ‘u skuqën’ më shumë përballë përgjimeve të Ervinit sesa atyre të Saimirit?

Përse një deputet, që gabon në përdorimin e një fjale, kryqëzohet nga gazeta dhe portale, por ata që hynë në atë sallë duke kaluar nga paraburgimi u trajtuan si zotërinj?

Sigurisht, që këto janë pyetje retorike, pasi mënyra sesi po trajtohet kjo çështje është ilustrimi më i mirë i procesit nëpërmjet të cilit po kalon një pjesë e medias shqiptare, madje edhe publiku i saj. Totalisht të ndarë, pjesë të një bote autike që i flet vetëm publikut të saj, shkruan vetëm për atë dhe sipas oreksit të tij partiak.

Vargje të thurura me një ritëm ekstremisht të polarizuar, pa kurrfarë pretendimi universaliteti apo homogjeniteti, ose thjeshtë, vërtetësie.

Sikurse ndodh me ERTV, që përshkruan një Shqipëri që nuk është, për miqtë digjital të Kryeministrit; trajtimi i spiunimeve nga ana e Temës, dhe e mediave me të njëjtën tematikë, përshkruajnë një Shqipëri më puritane sesa ajo që realisht është.  

“Kush është pa mëkat, të hedhë gurin e parë”, do të ishte “dhjata” më e mirë për moralistët e vjetër dhe të rinj.