Pse zgjedhjet e parakohshme janë kusht

Vladimir Gligorov

Po ia filloj nga një fakt i stilizuar. Në demokracitë e qëndrueshme parlamentare, më shumë se dy mandate në pushtet është përjashtim, nga ana tjetër edhe më pak. Në vendet e qëndrueshme të sapodemokratizuara kjo do të duhej të arrihej vetëm pas dy ndryshimesh të padhunshme, pra të pushtetit të fituar me zgjedhje, secili pas një mandati. Në demokracitë europiane post-socialiste ndryshimi i rregullt i pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme do të duhej të sigurojë qëndrueshmërinë e mënyrës demokratike të vendimmarrjes.

Në sistemet presidenciale ciklet janë ndryshëm dhe këto jo vetëm në vendet post-socialiste. Rusia është këtu më e rëndësishmja, por gjithsesi nuk është përjashtim. Mëkati fillestar iJelcinit: kushtetuta e vitit 1993. Parlamenti i atëhershëm ishte nën kontrollin e komunistëve, e kësisoj sistemi presidenical, në të cilin nuk ka ndarje të pushtetit, ishte i pranueshëm si në vend ashtu edhe jashtë tij. Pjesa tjetër është histori.

Por, as sistemet presidenciale dhe as ato autoritare, qofshin kushtetues ose jo kushtetues, nuk është e thënë të jenë të qëndrueshëm, e për më tepër, edhe ata kanë një afat kohëzgjatje, që të shprehem kështu. Rasti serb është i tillë. Nuk është e thjeshtë të identifikosh ciklet politike dhe kjo jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për histori politike me regjime pothuajse tërësisht autoritare, por pa dyshim me shkallë të ndryshme autoritarizmi. Rrethanë rënduese është edhe fakti se Serbia ka qenë pjesë e Jugosllavisë; kësisoj ndryshimet politike në Serbi, në mënyrë të veçantë në periudhën post-socialiste, kanë qenë më shumë nën ndikimin e jashtëm sesa atë të brendshëm. Këtu duhen shtuar edhe ndryshimet në rrethanat ndërkombëtare, të cilat kanë rëndësi jo të vogël në secilin vend të vogël, madje edhe nëse ai është pjesë e  madhe e një vendi të vogël të pazhvilluar dhe jo stabël.

Gjithsesi, është interesant fakti se është e mundur të vërehet njëfarë rregullsie, e cila do të mund të ishte fakti i stilizuar për ciklet politike serbe. Sepse, rrallëherë ndodh që një regjim të zgjasë më shumë se tetë vite dhe shpesh vjen puna deri te ndryshimi pas krizës së legjitimitetit. Pjesa e parë, gjatësia, është pothuajse shprehje e prirjes joformale drejt demokratizimit, ndërsa pjesa e dytë natyrisht shkon bashkë me regjimin autoritar. Duke mos i hyrë pjesës jugosllave të historisë serbe, regjimi i Millosheviçit zgjati diçka më shumë se tetë vite, nëse merret parasysh edhe periudha e konsolidimit pas miratimit të Kushtetitës së vitit 1990, dhe pak a shumë pas refuzimit të pasuksesshëm të legjitmitetit të saj që nga fillimi i vitit 1991 e deri në mesin e vitit 1992. Nëse do të përllogaritej vetëm periudha e mungesës së luftës, ai zgjati më pak. Dhe përfundoi me humbjen e legjitimitetit- sa në zgjedhje aq edhe nëpër rrugë dhe në strukturat e shtetit të thellë (strukturat e sigurisë. shën. përkth).

Regjimi pas Millosheviçit zgjati gjithashtu tetë vite, nga viti 2004 deri në vitin 2012. Periudha nga 2001 deri në 2003, ishte njëfarë inter regnum, i cili u mbyll me vrasjen e Xhinxhiçit e cila mund të karakterizohet si pengesë për restaurimin e pjesshëm. Ky regjim përfundoi me krizë legjitimiteti, i cili i kishte shkaqet më shumë të jashtme sesa të brendshme. Problemi i brendshëm i legjitimitetit ishte se regjimi u shndërrua formalisht në presidencial. Krahas kësaj edhe jo efikas, si në politikën e brendshme ashtu edhe, madje më shumë, në atë ndërkombëtare. Legjitimiteti u humb për faktin se ishte e vështirë të lokalizohej përgjegjësia, sepse qeveria ishte e dobët, ndërsa regjimi në tërësi nuk tregoi shkallën e duhur të përgjegjësisë ndaj problemit të Kosovës, kësisoj si në bisedime para dhe pas shpalljes së pavarësisë, por më shumë pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë. Krahas kësaj edhe rrethanat ekonomike ishin të vështira, ndërsa tranzicioni, për të cilin pushteti natyrshëm mbante përgjegjësi, ishte jo popullor.

Momentalisht po i afrohet fundi, sepse të njëjtët njerëz janë në pushtet që nga viti 2012, pra shtatë vite. Nëse kemi parasysh se dy vitet e para pushteti u stabilizua, atëherë bëhet fjalë për dy vitet e tjera. Kushtet për ndryshim dalngadalë po plotësohen. Autoritarizmi është rritur ndjeshëm, po ashtu edhe papërgjegjësia sepse është vendosur një sistem presidencial jo formal, por gjithsesi shumë strikt dhe po rritet dyshimi jashtë vendit nëse vërtetë pushteti është i aftë të përballet me detyrimet ndërkombëtare, para së gjithash kur vjen puna për Kosovën. Krahas kësaj, po rritet edhe pakënaqësia dhe kjo është e dukshme, sepse opozita tashmë ka dalë në rrugë. Përfundimisht dhe më e rëndësishmja, regjimi gjendet përballë detyrës së pamundur të harmonizojë detyrimet ndërkombëtare me rezistencën në rritje brenda shtëpisë.

Ky është i njëjti tip problemi me të cilin u përballën Millosheviçi, Koshtunica dhe Tadiçi. Edhe atyre u skadoi afati i qëndrimit në pushtet. Dallimi është se te këta opozita ishte më e organizuar dhe kishte synime politike të qarta, gjë që nuk është kështu me opozitën e tanishme. Kjo është pikërisht e vetmja shpresë e pushteti për atë që koha e tij të jetë më e gjatë. Kjo, megjithatë nuk eviton atë pjesën e dytë të asaj që e quajta fakt të stilizuar të ciklit politik serb, dhe ky është se nga pushteti iket nëpërmjet krizës së legjitimitetit, e madje edhe nëse ajo zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve. Tani për tani është e vështirë të parashikohet sesi do të jetë kjo krizë sepse ende nuk është e qartë shkalla e autoritarizmit që do të arrijë ky pushtet. Sa më autoritar të jetë regjimi, aq më e thellë është kriza.

*Vladimir Gligorov është Gligorov Profesor ne Vienna Institute for International Economic Studies. Ai eshte i biri i ish-Presidentit maqedonas, Kiro Gligorov. Shkrimi është botuar në “Novi Magazin“.