Publikohen pamjet para se aktorja Naya Rivera të zhdukej në liqenin në Kaliforni, shuhen shpresat se mund të gjendet e gjallë

Aktorja e “Glee”, Naya Rivera, nga autoritetet kaliforniane prezumohet e vdekur, një ditë pasi ajo u zhduk ndërsa po notonte në Liqenin Piru, Kaliforni, me djalin e saj katër vjeçar.

Shpresat që ajo të gjendet e gjallë janë thuajse plotësisht të shuara por sipas autoriteteve është shumë e vështirë të gjendet edhe trupi pasi terreni është i vështirë dhe plotë bimësi nënujore.

Djali i saj, 4 vjeç, u gjet në gjumë në bord. Ai i tha policisë që ata po notonin, por nëna e tij nuk u kthye kurrë. Ekipet e kërkimit po kërkojnë për trupin e saj por kushtet janë të vështira.

Nga kamerat e sigurisë kanë dalë disa pamje ku shihet aktorja bashkë me djalin e saj 4-vjeçar para se të hipnin në varkën që kishin marrë me qira. Kur kaluan tre orë nga momenti kur varka duhej të ishte kthyer, punëtorët u shqetësuan dhe dolën të kërkonin.

Vogëlushi u gjet nga një person tjetër në varkë “në gjumë dhe me jelekun e shpëtimit të veshur”, sipas policisë.  Pas një operacioni masiv kërkimi dhe shpëtimi nuk gjetën asnjë gjurmë të aktores dhe tashmë policia i ka humbur pothuajse plotësisht shpresat që ajo të gjendet e gjallë.

Josey ndërkohë është kthyer në familjen e tij dhe është fotografuar dje në krahët e babait të tij, ish-burrit të Rivera-s, Ryan Dorsey, i cili dukej shumë i trishtuar për humbjen e madhe.

Rivera është e njohur për interpretimin e Santana Lopez në Glee, serial televiziv komedi muzikore. Një nga serialet më popullore  që u transmetua në Fox nga 2009 deri në 2015.