Flash News

KRYESORE

Publikohet letra e Arta Markut drejtuar KQZ-së për deputetët Rakipi dhe Rehovica

Dy deputetëve Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës u është hequr mandati i deputetit ditën e djeshme, një javë pasi Arta Marku mori detyrën e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme.

“Panorama” shkruan se Kryeprokurorja e re, Arta Marku, ka konfirmuar me një shkresë të drejtuar dje ndaj KQZ-së, se urdhrat e firmosur nga prokurorja Rovena Gashi janë bërë me dijeninë e saj.

 Në letrën drejtuar KQZ-së, ajo ka saktësuar se për dy deputetët janë arritur konkluzionet se kanë fshehur dënimet jashtë vendit.

 “Nga dokumentacioni i përcjellë konkludohet se, me rastin e marrjes së gjurmëve të gishtave, subjektet, minimalisht, janë shoqëruar në organet ligjzbatuese italiane, duke përdorur me këtë rast identitetin e rremë. Pra, konkludohet se subjektet kanë përdorur pranë institucionit zyrtar, gjeneralitete të tjera, të ndryshime nga gjeneralitetet e deklaruara dhe nuk kanë pasqyruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit në pikën ‘të dhëna personale’, shkronja b. ‘Gjeneralitete të mëparshme’”, thekson letra e Kryeprokurores Arta Marku.

Më tej, në letrën e firmosur nga Kryeprokurorja e re, për të sqaruar anëtarët e KQZ-së, të cilët kërkuan prova shtesë, thuhet se: “Rezulton se subjektet nuk kanë deklaruar informacione që lidhen me hetimet në ngarkim të tyre, pavarësisht detyrimit ligjor, që buron nga pyetja 3 e formularit të vetëdeklarimit: A keni qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale? Duke mos pasqyruar faktet e mësipërme në formular, konkludohet se veprimi i tyre bie ndesh në fushën e zbatimit të pikës 3/ ç, të Kreut III, vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit”, shkruhet në letrën e Kryeprokurores.

Të fundit