Publikoi videon e nënës së të miturit të dhunuar nga policia, Rama në krah Ardi Veliut: Gaboi, por i besoj atij dhe jo moralistëve

Kryeministri Edi Rama i ka dalë në krah drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili pak ditë më parë në komisionin parlamentar të sigurisë justifikoi dhunën e policisë ndaj një të mituri, duke treguar një video të mamasë së këtij të fundit me pistoletë në dorë, por që rezultoi se episodi ishte pjesë nga xhirimet e një filmi.

Rama tha se Veliu gaboi në përpjekjen për të shpjeguar se edhe familja ka rolin e vet në mirëedukimin e brezit të ri.

“Për drejtorin Ardi Veliu kam konsideratën më të lartë për integritetin, profesionalizmin dhe rezultatin, por në këtë rast ka gabuar, pa diskutim. E them pa asnjë rezervë. Por jam më i prirur t’i besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit se sa moralistëve të këtij vendi.

Është e qartë se nuk ishte përpjekje për të justifikuar dhunën se polici është pezulluar menjëherë dhe është çuar në hetim penal, por ishte një përpjekje e keqshpjeguar për të thënë se dakord, por edhe familja ka rolin e vet në mirëedukimin e brezit të ri.

E thënë ashtu, ishte gabim, por preferoj ndjesën publike të tij dhe shpjegimet e tij, duke e njohur prej punës e integriteti moral, çështja për mua është e mbyllur. Ata që predikojnë më shumë moral në vend kam fatin t’i njoh, si njoh dhe drejtorin, mes të dyjave palëve zgjedh drejtorin. Ju lutem mos e nxirrni nga konteksti edhe këtë që sapo thashë”, tha Rama.