Flash News

OP-ED

Puç i Edi Ramës me Kushtetutën?

Puç i Edi Ramës me Kushtetutën?

GENC BURIMI 

Sado egoiste dhe korporatiste të jenë treguar dy partitë e opozitës, PD-LSI, gjatë gjithë procesit të negociatave të Reformës Zgjedhore, është e drejta e tyre demokratike më minimale të martohen bashkë në një koalicion zgjedhor.

Edi Rama po guxon të bëjë edhe këtë. Të shkojë deri aty sa për të penguar dy parti që të bashkojnë forcat dhe votat kundër tij, të ndryshojë Kushtetutën. Kjo tentativë surrealiste për të penguar dy formacione politike të bashkojnë zërat në zgjedhje mund të jetë edhe antikushtetuese. Por ironia e fatit në Albanistanin e Edi Ramës është se nuk ka as Gjykatë Kushtetuese për t’i thënë sundimtarit larg duart nga Kushtetuta. Si po përfundon kështu ky vend? Kush mund ta besonte se dhe në një fjali padjallëzore të Kushtetutës, djalli do të bënte hesape të tjera.

Neni 68 i Kushtetutës: “Kandidatët për deputetë paraqiten… nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit”. A ka përkufizim më të pafajshëm dhe liberal? Në zgjedhje, një kandidat mund të regjistrohet nga një parti politike, nga një aleancë partish politike apo nga qytetarë pa parti. Rama po ngatërron edhe zgjedhjet me karantinën, ku futi popullin për tre muaj. Një nga një qytetarët mund të dilnin, por në grupe jo. Edhe në votime është Rama që kërkon të diktojë si duhet të shkojë “mileti”, me parti veç e veç po, me një koalicion partish jo. Le të shkojë edhe më larg. Nëse ndalon koalicionet e partive, t’i ndalojë edhe vetë partitë. Të lejojë të marrë pjesë në zgjedhje vetëm shoqata e tij, Rilindja.

Kështu e ka një qind për qind të sigurt se e fiton mandatin e tretë. Më mirë se një gjysmë çmendurie siç është kjo tentativë për të bllokuar aleancat zgjedhore, le t’i futet rrugës që ka nisur me buldozer si të Teatri dhe t’i ndalojë fare dy partitë, PD dhe LSI, të hyjnë në zgjedhje, me atë parimin se nuk mund të ketë demokraci për armiqtë e demokracisë, ashtu siç nuk mund të kishte negociata për Teatrin me injorantët e kulturës. Sa për paketosjen demokratike që po i gjen Rama shpikjes së tij të re duke e paraqitur në fillim si një iniciativë të “opozitës” parlamentare për ta justifikuar më pas si shprehje e vullnetit të shumicës në Parlament, ajo ngjan në realitet me formulat më ordinere të Presidentit rus, Vladimir Putinit, për të zgjatur pushtetin e tij dhe veçanërisht me atë të fundit. Duke mos qëndruar më dot me Kushtetutë si President i Rusisë pas vitit 2024, Putin vendosi më 15 janar të shpallë një reformë të thellë kushtetuese, që do t’i lejojë të qëndrojë pafundësisht në pushtet si një car.

E njëjta lojë me Kushtetutën, që do t’i lejonte Edi Ramës të marrë një mandat të tretë si bajraktar. Duke pritur më pas reformën kushtetuese për një dinasti?

Rama të flasë tani, ose ta mbajë turpin përgjithmonë.

Ka vetëm një mundësi për Kryeministrin t’u shpëtojë gojëve të liga, të cilave i bashkohet edhe teza e këtij shkrimi. Të deklarojë pa humbur kohë se, cilido qoftë projektligji i së ashtuquajturës opozitë parlamentare, Edi Rama, si shef i partisë në pushtet, garanton se deputetët e tij nuk do të votojnë asnjë amendament kushtetues, që cenon lirinë themeltare të partive politike, të bashkohen në koalicione nëse e tillë është dëshira e tyre sovrane.

A është e tepërt t’i rikujtohet Ramës se e tillë qe dhe dëshira e tij, po aq e zjarrtë për të bërë koalicion me Ilir Metën më 2013? Asaj epoke, ai s’do të kishte hezituar ta etiketonte Sali Berishën si fashist nëse maxhoranca demokrate do të kishte tentuar të ndalonte koalicionet në zgjedhje. Por a do të jetë e mjaftueshme të zmbrapset kjo orvatje e shëmtuar e Edi Ramës vetëm në emër të moralit në politikë? Kam frikë se jo. Ai nuk zmbrapset para asgjëje, kur me vete ka forcën e kartonëve në Kuvendin e tij prej kartoni.

Ai nuk do të zmbrapset as para kërcënimit të paevitueshëm për bllokim të hapjes së negociatave me BE-në, nëse do të provokonte një krizë të re politike në vend me këtë historinë e koalicioneve në zgjedhje. Midis zgjatjes së pushtetit të tij në Shqipëri dhe futjes së Shqipërisë në BE, përzgjedhja e Edi Ramës është bërë kaherë. Ashtu si Stalini që pyeste ‘po Vatikani sa divizione ka’, edhe Edi Rama njeh e respekton vetëm një kod, atë të raportit të forcës apo ligjin e më të fortit.

Dhe në demokraci, raportin e forcës me pushtetin midis dy periudhave zgjedhore e krijon vetëm mobilizimi i popullit në rrugë. Por a do të pranojë populli shqiptar të derdhet shesheve e bulevardeve për të mbrojtur të drejtën për koalicion të PDLSI-së, një koalicion i mirëfilltë egoistësh, që u ktheu kurrizin aspiratave të opinionit publik për një reformë kurajoze zgjedhore? Siç e nisën, ashtu ta bitisin, thotë populli. Një përçarje e pashmangshme midis shqiptarëve dhe klasës së tyre politike në tërësi, që do ta çonte pashmangshmërisht Cezarin shqiptar të imponojë dhe të paktën për katër vite të tjera, ligjin e tij të “Pax Ramana”…

*Botuar fillimisht te gazeta 'Panorama'

Të fundit