Flash News

KRYESORE

Punëtorët e Poçemit 27 muaj pa marrë rrogat, Kryemadhi letër institucioneve

Pasi zhvilloi një takim me grevistët e urisë në stacionin e pompimit në Poçem të Mallakastrës, të cilët kanë 27 muaj pa marrë pagat e tyre, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka vendosur që t’i drejtohet me një letër disa institucioneve shtetërore për t’i apeluar për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Letra i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, dhe në veçanti kryeprokurorit Olsian Çela, ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, kreut të KLSH Bujar Leskaj dhe Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca.

Në letrën e saj Kryemadhi shpjegon situatën në të cilën gjendjet punëtorët në Poçem.  Ajo kërkon që punëtorëve t’i paguhen 27 pagat e prapambetura ndërsa përgjegjësit e kësaj situate të vendosen para përgjegjësisë ligjore.

"Kërkoj që agjencitë shtetërore të marrin masa të menjëhershme, me të gjitha mekanizmat që ligji mundëson për të kryer pagesat e të gjitha pagave të prapambetura për punonjësit e stacionit të pompimit në Poçem, pasi përveç të tjerash kjo situatë ka krijuar edhe një tensionim shumë të rëndë social për familjet e tyre të varfra”, shkruan Kryemadhi.

Takimi i Kryemadhit me punëtorët e Poçemit u zhvillua paradite. Grevistët e urisë nuk kanë dashur që takimi mes tyre dhe kreut të LSI të marr ngjyra politike, por kanë kërkuar që ajo të vihet në dijeni nga vetë ata se ku qëndron problemi dhe jo nëpërmjet mediave apo interpretimeve të të tretëve që mund t’i bëjnë problemit të tyre.

Të fundit