Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Alfred Lela
Kjo e studentëve të Dhjetorit '18 është lëvizja më e çuditshme 'grassroots'* e ndodhur në Shqipëri. Edhe për faktin se, në Shqipëri, kanë ndodhur pak lëvizje; ndër të tjera për shkak të mungesës së traditës demokratike.
Edhe sepse ky vullkan i fillimdhjetorit nisi para së gjithash si çdo protestë tjetër, vakët dhe pa shumë shpresë. Veç kësaj i kishte kundër të gjitha erërat e besimit që dukej si një i humbur në detin e skepticizmit dhe të padurimit, me një trazicion shqiptar që as kurorëzohej dhe as vdiste.
Të gjitha këto kanë ushqyer edhe teoritë konspirative. Të njëjtat kanë qarkulluar edhe për simotrën e saj lëvizjen e Dhjetorit '90, por janë dashur të kalojnë vite që 'katovica' të hidhej mbi të si pelerinë mbytëse dyshimi.
Sot 'nova katovicën' mund ta dëgjosh në Tiranë, që nga shoferi i taksisë e deri te individi shumë mirë i lidhur me leximet dhe me ngjarjet, se dikush duhet të jetë pas kësaj. Edhe një diplomat i huaj e hodhi këtë dyshim në mes të një bisede, si të ishte ajo karta në një lojë letrash që të thotë 'kot u lodhe, kam një derr asi'.
Për diplomatin kjo ishte përgjigjja që më erdhi: organizimi, apo dukja e tij, është tregues në fakt i së kundërtës: se nuk ka asnjë organizim, asnjë 'dorë prapa'. Kur shqiptarët organizohen mund ta dallosh kaosin dhe artificin një milje larg. Nuk jemi popull të atusë organizative ne.
Konspiracioni, megjithatë i bën nder Lëvizjes. Tregon se ajo është futur në histori si 'e randë mes zonjash'. Konspiracioni, gjithashtu, shoqëron ngjarjet që ngjallin magjepsje, një diçka mes gëzimit dhe frikës, që kërkojnë shpjegim ngaqë suprestruktura e tyre është 'mbinjerëzore' pikërisht se ngërthen në vetvete pikën arkimediale të gjenialiteti njerëzor, që Zoti ia ka dhënë për të lëvizur levën.
Protesta është leva që mund të zhvendosë Shqipërinë, nëse vendoset në atë pikë kruciale që quhet Universitet. Të mos gabohemi nga loja e fjalëve: të dyja kanë nevojë të shpëtohen, si Shqipëria dhe Universiteti, por të mos këndellemi shumë nga shpëtimet deus ex machina, sepse njerëzimi ka parë shumë revolucione të shkuara dëm dhe të kthyera kokëposhtë, për t'i besuar këtij të Dhjetorit '18.
Mund të biesh fare mirë dakord me ata që janë lodhur nga kushti i studentëve për mbajtjen larg të politikës, por edhe me studentët, apo të tjerë, që kërkojnë që të jetë pikërisht kështu. Politika nuk zgjidh gjë, sepse të qenët në këtë pikë e thotë hapur këtë. Në të njëjtën kohë, a ka mjet tjetër veç politikës për zgjidhjen e këtij ngërçi? (Ku është Arkimedi megjithë levë?).
Shqipëria do shpëtuar, së pari, nga babëzia e bijve të vet. Korrupsioni, shitja e shpirtit materializmit, përjashtimi i përmasës shpirtërore, kulti i individit dhe vrasja e çdo forme të komunitares etj. A i përfaqëson këto Qeveria?
Në fund, protesta e studentëve nuk do ta shpëtojë Shqipërinë, por, shpresojmë, Universitetin po. Universiteti është një pikë ku Shqipëria të mund të mbështesë levën e së ardhmes.