Flash News

KRYESORE

Pyetet nëse do të kërkojë falje për krimet e luftës në Kosovë, Vuçiç: Të gjitha palët kanë kryer

Pyetet nëse do të kërkojë falje për krimet e

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi se në vendin e tij asnjë nuk i ka mohuar krimet e luftës, por ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse do t’i kërkojë falje shqiptarëve për krimet në Kosovë.  Ai tha se në Serbi janë dënuar shumë persona për krime lufte në një intervistë për Euronews Albania.

“Unë nuk kam mohuar kurrë krimet e luftës dhe ne në Serbi, për hir të së vërtetës, kemi dënuar shumë kriminelë lufte që vinin nga Ish-Jugosllavia dhe pavarësisht kombësisë dhe kemi pasur këndvështrime të ndryshme për diçka që ka ndodhur në pjesë të ndryshme të Ish-Jugosllavisë. Kjo është saktësisht arsyeja pse ne duhet të përballemi me këtë problem dhe përse kemi nevojë të krijojmë lidhje dhe marrëdhënie më të mira mes nesh. Ju nuk mund t’i detyroni serbët të pranojnë të gjitha këndvështrimet dhe idetë tuaja.”, u shpreh Vuçiç.

Kreu i shtetit serb mendon se ka shumë njerëz, të të gjitha etnive që kanë kryer krime lufte dhe se ai secili duhet që të mbajë përgjegjësi për ato çfarë ka bërë.

“Ajo që mendoj është se të gjitha palët kanë kryer shumë krime dhe mendoj se ata që i kanë kryer këto krime, kush ka kryer çdo lloj krimi, duhet të mbajë përgjegjësi dhe kjo është ajo që mund të them. Unë nuk kam qenë kurrë një njeri që do të fshihte dikë apo që do t’i vinte turp nga diçka që dikush ka bërë. Unë nuk kam bërë asnjë krim për t’ju thënë të vërtetën. Kush ka kryer, ata njerëz duhet të jenë shumë të përulur, shumë modestë kur i thonë shumë gjëra popullit për të cilin kanë bërë gjëra kundër. Unë nuk kam marrë pjesë në këtë. Por ka shumë njerëz, nuk ka rëndësi nga cila anë, shqiptarë, serbë, kroatë apo boshnjakë që kanë kryer krime dhe kjo është ajo që kemi nevojë për të bërë, duhet të dalim nga kjo periudhë kohore dhe të krijojmë një të ardhme të ndryshme dhe shumë më të mirë për ne.”

Ndërkohë që ai nuk e priti mirë kur iu kujtua fakti se kritikët e tij më të mëdhenj e kanë akuzuar se ka mbështetur krimet e luftës.

“Unë nuk e kam bërë kurrë këtë dhe nuk e kam thënë kurrë këtë por nëse ju thoni kështu, nëse është më e lehtë për ju, nëse kjo do ishte arsye e mjaftueshme për të mbështetur në një farë mënyre teoritë tuaja konspirative, ju uroj më të mirat.”

Të fundit