Qasje e re për koronavirusin, disa ekspertë mendojnë se gjaku nga pacientët e shëruar mund të ndihmojë në trajtimin e infeksionit

Të enjten (13 shkurt), një zyrtar i lartë kinez i shëndetësisë u bëri thirrje të rikuperuarve nga koronavirusi që të dhurojnë  plazmën e gjakut, sepse ajo mund të përmbajë proteina të vlefshme që mund të përdoren për të trajtuar pacientët e sëmurë, sipas New York Times.

Thirrja për dhurimin e plazmës erdhi pas një njoftimi nga kompania shtetërore, China National Biotec Group, sepse këto antitrupa ndihmuan në trajtimin e 10 pacientëve me sëmundje kritike, duke zvogëluar inflamacionin e tyre brenda 12 në 24 orë, sipas Times.

Por a është kjo një ide funksionale?

Qasja është një mënyrë logjike dhe premtuese për të trajtuar pacientët me koronavirus, thanë ekspertët Live Science, website me përmbajtje artikujsh shkencorë.

Antitrupat janë proteina, të cilat sistemi imunitar i prodhon për të luftuar viruset, bakteret ose substancat e tjera, të huaja për organizmin. Antitrupat janë specifikë për secilin “pushtues”. Sidoqoftë, trupi ynë kërkon pak kohë për prodhimin e tyre. Nëse i njëjti virus/bakter përpiqet të hyjë sërish në organizëm, prodhimi i antitrupave është më i shpejtë, thonë ekspertët.

Njerëzit të cilët janë shëruar nga koronavirusi zotërojnë ende antitrupa ndaj virusit që qarkullojnë në gjakun e tyre. Injektimi i këtyre antitrupave te pacientët e sëmurë mund të ndihmojë, të paktën teorikisht, në luftën kundër koronavirusit.

Pavarësisht kësaj, jo të gjithë ekspertët mendojnë njëlloj.

Disa prej tyre thonë se trajtime të tilla duhet të kalojnë së pari procesin e provave të mirëfillta laboratorike, përpara se të aplikohen te njerëzit sepse nuk është ende e sigurt nëse do të ketë efekte pozitive dhe për më tepër, nuk dihet shkalla e efekteve anësore.

Ditën e djeshme koronavirusi shënoi viktimën e parë në Europë. Viktima ishte një grua 80 vjeçare me origjinë kineze, provinca Hubei.

Burimi: livescience.com