Flash News

KRYESORE

Që protesta të shndërrohet në Lëvizje popullore

Që protesta të shndërrohet në Lëvizje popullore

Red Varaku

Asnjë lider, sado vizionar qoftë, sado i fortë, elokuent dhe i talentuar, nuk mund të sfidojë pushtetin pa një strukturë organizative të disiplinuar dhe të qëndrueshme. Vetëm një strukturë e fortë njerëzore sjell efikasitet të ndryshimit politik. Kjo gjë duhet të bëhet e qartë njëherë e përgjithmonë. Një lëvizje që kërkon ta ndërtojë suksesin e saj vetëm rreth kultit të liderit është e destinuar të dështojë pa lindur akoma.

Duhet thënë që në fillim që, një lëvizje nuk e bën domosdoshmërisht të fuqishme një lider “i fortë”, por cilësia dhe pastërtia e njerëzve që e mbështesin dhe i japin frymë asaj. Sepse fuqia dhe efikasiteti i një lëvizjeje nuk duhet që, kurrsesi, të lidhet me emrin e liderit që e drejton, por me fuqinë që buron nga zemrat e njerëzve që marrin pjesë në të. Një popull që është vetë i fortë, nuk ka nevojë për liderë “që udhëheqin me dorë të fortë.” Nëse marrim Lëvizjen e Dhjetorit si shembull për të ilustruar këtë tezë, do të thonim që nuk ishte Sali Berisha ai që prodhoi Lëvizjen  e Dhjetorit për Liri dhe Demokraci, por ishte Lëvizja që prodhoi liderin Sali Berisha.

Por, që një protestë të shndërrohet në një lëvizje të madhe popullore me efikasitet politik, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te pjesëmarrja, por te cilësia e njerëzve që marrin pjesë në të. Sepse, të gjithë e dimë, që nëse Partia Socialiste do të bënte të njëjtën thirrje, numri i pjesëmarrësve do të ishte pothuajse i njëjtë, pra ajo që bën diferencën është cilësia e pjesëmarrësve dhe jo sasia e tyre.

Në mënyrë që një protestë të shndërrohet në një lëvizje, nuk është e thënë që antarët e saj të jenë domosdoshmërisht të veshur dhe të krehur bukur për kamerat, ose njerëz me peshë publike,”të fortë”, të pasur, të njohur apo me prejardhje të fisme. Rasti  i protestës së kuksianëve ishte shembulli më ilustrues i fuqisë së një lëvizjeje të tillë. Ata ishin dhe janë, mbase akoma edhe sot të panjohur dhe të varfër, por krenarë dhe të vendosur përballë kamzhikut dhe joshjes së pushtetit. Fuqia e pastërtisë së qëllimit të tyre e detyroi pushtetin të përulej.

Duhet të jenë njerëz ontologjikisht të palidhur me nevojën për të dalë në TV, për të qenë të pëlqyer apo në qendër të vëmendjes. Ata duhet të jenë njerëz që nuk flenë dhe zgjohen me ëndrrat për ndërtimin e monumenteve të lavdisë për veten. Njerëz që derdhen shesheve vetëm nga një thirrje e brendshme, pa patur nevojë për platforma mediatike moderne dhe shumë të komplikuara dhe as ndonjë logjistikë të sofistikuar.

Njerëz që e kanë refuzuar me përbuzje dhe neveri kultin e vetes, atë mendimin joshës që të fton vetëm për interes, për një vend pune ose favore të tjera. Njerëz që me fisnikëri kanë vendosur të përballen me banda të armatosura, duke e njohur që  fuqia e këtyre bandave i tejkalon ata disafish. Sepse ata janë të bindur që nuk është numri i njerëzve që e përcakton madhështinë e një lëvizjeje, por është përpjekja plot pasion dhe, sigurisht, sinqeriteti dhe ndershmëria e njerëzve që e mbështesin atë.

Në ballë të kësaj lëvizjeje duhen vendosur pikërisht ata të cilët kanë dhënë prova dhe që kanë një reputacion të mirë dhe kredencialet e duhura në popull për vite të tëra sprovash. Duhet të jetë një lëvizje e cila nuk ka nevojë për grantet, donacionet apo sponsorizimet e askujt. Duhet të jetë një lëvizje që nuk ka nevojë për platforma mediatike apo sociale për t’u shpërndarë, sepse zemrat e këtyre burrave dhe grave rrahin gjithmonë bashkë.

Vetëm një protestë me njerëz të tillë mund të prodhojë një lëvizje të përmasave që mund ta trondisë nga themelet dhe më pas shkulë me rrënjë këtë klan që ka kriminalizuar elitën e Shqipërisë për të dytën herë në këta njëqind vjet. Nëse vërtet duam të ndërtojmë një lëvizje të përmasave të tilla, duhet të kuptojmë që efikasiteti i ndryshimit politik e ka zanafillën në rradhë të parë te pastërtia e qëllimit, solidariteti dhe mirëkuptimi njerëzor midis nesh dhe aspak tek emra të përveçëm që ende i thurin lavde lavdisë së dikurshme me qëllim rikthimin e privilegjeve të humbura.

Për këtë duhet të ndjekim shembullin e më të mirëve, “burrave dhe grave” që përmbysën regjimin, të cilët edhe pse rrezikuan jetën e tyre dhe të familjeve, kurrë nuk u mburrën dhe kurrë nuk kërkuan asgjë, qoftë edhe mirënjohjen e askujt, sepse ata e kishin harruar veten nga dashuria për vendin e tyre, e kishin harruar veten nga dehja e pasionit për Liri dhe Demokraci.

 

 

Të fundit