Flash News

OP-ED

Qëndresa e opozitës është durim, pritje, kohë e precedent bashkë

Qëndresa e opozitës është durim, pritje, kohë e

Ndriçim Kulla

“Marr guximin të të shkruaj, tjetër ç’do veç shpirtit tim ?”. Janë dy vargjet e famshme të poemës së Pushkinit që ai ia dërgon Tatjanës së tij. Në shekullin e romantizmit, edhe Foskolo me Jakopo Ortisin, edhe Gëte me djaloshin Verter, kanë shkruar romane të tipit epistolar (përmbledhje letrash), ku shprehen vuajtjet shpirtërore të njeriut për dashurinë e tij fatkeqe. Po në një ambjent të ndezur politik, në një raport tashmë të degraduar midis pozitës dhe opozitës që prej muajsh, ç’kuptim vallë mund të ketë t’i shkruash kundërshtarit? Pse tani? Pse në këtë mënyrë? Mos është edhe kjo një lloj shprehje dashurie romantike për demokracinë? Apo për pushtetin që po ikën?

Janë të shumta kundërthëniet e këtij epistolari emblematik të kryeministrit për pakuptueshmërinë e qëllimit të tij të vërtetë. Por edhe për njerëzit e thjeshtë opakësia e këtij veprimi lë shumë hije dyshimi. Mos vallë flitet me kode midis rreshtave? Apo e gjitha kjo është një lojë rebusesh që ne nuk i dimë, por që fshehtas, prapa skenës vazhdon që të luhet diçka e përsëritur. Diçka së cilës demokratët i tremben dhe socialistët e urojnë.

Edhe vetë kryeministri flet për të njëjtën taktikë të zgjedhur nga opozita në rastin e çadrës dy vite më parë. Ndoshta këtu ka të drejtë, të gjitha demonstrimet e opozitës ngjajnë me një çadër gjigande, të lëvizshme, që rritet e gufohet në çdo protestë popullore, muaj pas muaji. E pikërisht si atëherë, mazhoranca shfaqet mospërfillëse, herë përbuzëse e herë trimërore. Edhe atëherë tryeza e dialogut qe zgjidhja që ofrohej e që në fakt ndodhi dhe u bë realitet. Për këtë arsye ndoshta socialistër urojnë që të ketë të njëjtin fund. Po jemi vallë në të njëjtat kushte si atëherë.

Mazhoranca është bërë dy vjet më e egër në korrupsionin dhe lidhjet e veta me krimin, opzita dy vjet më e vërshueshme në rrugë, në besim e në shpresë te qytetarët. Kryeministri dy vjet më i rrënuar në dredhitë e tij gjoja për zgjedhje të lira e të ndershme, kurse opozita dy vjet më syçelët dhe më e kthjellët në mos-rënien edhe njëherë në grackë.  

Pikëpyetja e parë është, se sa e qëndrueshme është mazhoranca në këmbënguljen ose kokëfortësinë e saj. Por po njëlloj, a do të ndryshojë ndonjë gjë në strategjinë e opozitës? Ajo nuk duhet të ndihet aspak e kompleksuar nga krahasimi me çadrën, përkundrazi, ligjërimi i saj në ditët e çadrës ka qenë një majë për t’u përshëndetur, e pse jo edhe për t’u përsëdytur. Të gjithë sot presim që qëllimi dhe misioni që çadra nisi por nuk e mbaroi, pra për zgjedhje njëherë e mirë të lira dhe të barabarta, në fund të arrijë të përfundojë.

Të gjithë sot presin që dyshimet të davariten, që gabimet të bëhen mësim dhe pësimet një strategji më e mirë. Vetëm kështu njerëzit do të besojnë dhe shpresojnë se qëndresa e sotme e opozitës, është e vërtetë, e sinqertë, është synim për nisje të një epoke të re. Por thellësia e veprimeve duhet të shkojë edhe më tej.

Mjaft nga idetë e hedhura së fundmi mbi demokracinë brenda partive, mbi mënyrën transparente të zgjedhjes së kandidatëve më të mirë, mbi mënyrën e zgjedhjes së presidentit nga populli, mbi listën prej 100 deputetësh, mbi taksat e ulëta dhe rritje rrogash e pensionesh, etj. Duhet të bëhen pjesë e rëndësishme e një pakete që opozita duhet ta shpallë dita ditës që proteston dhe sfidon zgjedhjet pa demokraci, por që nuk duhet nënveftësuar gjithashtu se duhet prezantuar me shumë novatorizëm dhe gjallëri. Pasi rritja e besimit në qëndresë, në mos-lëshim si herën e shkuar, rrit po kaq fort edhe në shpresën se kësaj here djalli i oligarkisë dhe pushtetit nuk do t’i afrohet temjanit të zgjedhjeve për t’i manipuluar.

Pse vallë gjuha e letrave kryeministrore së fundmi nisi të ngurtësohet? Ku shkoi delikatesa dhe përulja e ditëve të para? Ku shkoi “dashuria” për opozitën”? A po venitet vallë nga heshtja e saj ulëritëse për ndryshim? Mos vallë qëndresa kumbuese është zëri më i mirë i përgjigjies së mazhorancës së heshtur të shqiptarëve? Askush nuk mund ta llogarisë veten të flasë në emër të popullit, edhe sikur të ketë fituar dy vjet më parë, pasi gjërat kanë ndryshuar, gjithçka nuk është si më parë, populli nuk është si më parë,  por kaq burrërisht dhe kokëfortësisht rrugëve.

Në këtë kuptim, nuk mund të flasësh në kohë të shkuar për një gjë që ka evoluar. Në emër të parapëlqimit të popullit nuk mund të flitet para dy vitesh, por duhet të flasësh sot, dhe sot populli po kërkon njëzëri, qoftë në rrugë, qoftë në shtëpi, qoftë duke bërtitur e qoftë në heshtje, vetëm një gjë: t’i jepet fund njëherë e mirë tranzicionit. Nuk është as koha e as durimi ai që rëndon mbi opozitën, por precedenti i një situate që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ky është shpirti që lehtëson kryeministrin, ndaj guxon dhe i shkruan opozitës.

Ndoshta do të bëjë edhe një dekalog moral të mashtrimit dhe vetë-mashtrimit, siç bëri herën e shkuar, që ta ketë në të ardhmen si doracak për dalje nga krizat. Ndoshta edhe një “ungjill” lutës për shpëtim. Vetëm se ne e kemi një precedent të tillë lutjesh të llojit “Kur do flasim?”. Në po të njëjtën mënyrë u lutej studentëve kryeministri, dhe po njëlloj ata i përgjigjeshin se nuk kemi përse të flasim, ai duhej vetëm të bënte detyrat e shtëpisë së qeverisë, që atyre nuk u ishin realizuar. Edhe fundin ne e dimë.

Ishte kryeministri ai që u dorëzua. E kemi kësisoj një precedent. Edhe për zgjedhjet mazhoranca duhet të kryejë detyrat e shtëpisë së demokracisë. Kaq. Pa lutje, pa tryeza dialogu, pasi demokracia nuk ka përse dialogohet. Ajo është esenca, partitë janë vetëm të rrjedhura prej saj. Po ashtu edhe qeveritë, edhe kryeministri.

Kjo është beteja që duhet të kryejmë. Duhet të luftojmë për thelbin, jo për format e varura prej saj. E thelbi ynë si demokraci janë zgjedhjet. Për këto ia vlen edhe të shuhesh si parti, pasi fryma e esencës, e thelbit, pra vetë demokracia do të dijë si të ringjallë përsëri si feniksi nga hiri i vet. Këtë mësim të pashlyeshëm nga historia opozita duhet ta ketë parasysh në çdo ditë që e afron me 30 Qershorin. Qëndresa është durim, është pritje, e në fund edhe kohë e precedent bashkë.

Të fundit