Flash News

KRYESORE

Qeveria do ndryshojë buxhetin në mes të vitit

Qeveria do ndryshojë buxhetin në mes të vitit

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut mund ta detyrojë qeverinë të shkurtojë të ardhurat e buxhetit. Në mbledhjen e ardhshme, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë një akt normativ, për të ndryshuar buxhetin e shtetit në mes të vitit.

Top Channel duke ju referuar burimeve nga qeveria thotë se aktualisht po diskutohen dy skenarë. I pari është ai që ul njëkohësisht të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit me 3 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e miratuar në fillim të vitit. Ndërsa varianti i dytë, nuk parashikon shkurtime, por vetëm rishpërndan fondin e investimeve publike nga projektet me ecuri të ngadaltë zbatimi tek ato që kanë një realizim më të mirë.

Sipas Ministrisë së Financave, vetëm për gjysmën e parë të vitit, arka e shtetit ka humbur rreth 3.5 miliardë lekë nga rënia e euros ndaj lekut. Pjesa më e madhe e të ardhurave buxhetore vilen në doganë, nga taksimi I importeve që blihen në tregjet e Bashkimit Europian. Por rënia e euros ul vlerën në lekë me të cilën zhdoganohen këto importe, duke dëmtuar të ardhurat veçanërisht ato që mblidhen nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

Burime thanë për Top Channel se ende nuk është vendosur përfundimisht se cili nga të dy variantet do të miratohet. Por e sigurt është se buxheti i shtetit nuk do të shpëtojë as këtë vit, nga ndryshimi me akt normativ, një procedurë e shumëdebatuar, e cila sipas kushtetutës parashikohet vetëm për rastet e emergjencave.

Të fundit