Flash News

KRYESORE

Qeveria e Ramës? E re e përdorur

Qeveria e Ramës? E re e përdorur

Alfred Lela

Ideja e një 'qeverie të vogël' pritet ngrohtë nga çdo i djathtë i botës. Fshehurazi, edhe ata të djathtë shqiptarë që i njohin konceptet ideologjike të së djathtës, si 'shtetin e vogël', etj., janë kapur nga një ndjenjë 'xhelozie' me idenë e një qeverie të tkurrur të Ramës në mandatin e saj të dytë.

Por, si gjithmonë, ajo që nga jashtë duket si ide apo koncept, me Ramën e të tijtë është një marifet; një vjegë e rrjeshme e marrdhënieve publike. 'Qeveria e vogël' e Ramës nuk na doli gjë tjetër veçse gollomeshi i së njëjtës pulë të vjetër të së majtës, me gjymtyrët e lëvizura andej-këndej, për ta bërë të duket një zogëz liberale.

Nuk është vetëm kaq. Marifetçinjtë e bëjnë hilen me synime të dyfishta. 'Qeveria e e vogël' e Ramës, përveçse një përpjekje për spin në marrdhëniet publike, është edhe një ngushtim i rrethit. Z. Rama duket se ka mbajtur kalorësit më besnikë, sprucuar me disa gra të reja, shoqëruar me enturazhin progresist të majtë që i ka rrënjët te elita e vjetër komuniste.

Eshtë hera e parë, qëkur iu fut poltikës në vitin 1998, që Rama ndjehet i sigurt politikisht dhe ekonomikisht. Tani nuk ia ka më nevojën politikës dhe ekonomisë për të kapur dhe ruajtur pushtetin, por për të forcuar trashëgiminë. Edi Rama ndjehet i pashlyer në kohën që Shqipëria i ka vonuar, duke mos e pranuar në vitin 1991 si radikal të djathtë, dhe duke ia vonuar me 4 vjet pushtetin si socialist progresist në vitin 2009.

Ai kërkon një mandat të tretë, të pamundur deri më tash për asnjë prej peshave të rënda politike të tranzicionit, Berisha, Nano dhe Meta. E tha vetë sot ndër rreshtat e fjalimit dy orësh ala Fidel Castro, se ky mund të jetë mandati i parë ose mandati i fundit. Me mandat të parë ai ka parasysh mbretërimin, me të fundit...epo, asgjë më shumë se fundin.

Shija që të linte sot leximi i emrave dhe kompozimi i përgjithshëm i asaj që pritej të ishte qeveri e re, ishte vjetërimi. Kryeministri e pati kalëruar, nëpërmjet dytësve të vet politiko-mediatikë, kabinetin plot me surpriza, duke arritur deri aty sa të lëshonte në eterin asnjëherë të ngopur të portaleve pa porta edhe idenë e një ministri të Jashtëm apo të Diasporës që ishte shqiptar, por i Kosovës.

Edhe emri i Majlinda Bregut, ka qenë ndoshta një gatim i kuzhinave të tij, i cili mund t'i ketë ardhur hosh edhe ish-ministres Demokrate, qoftë edhe për t'ju përgjigjur zembrekut të vogël të vanitetit dhe diversionit. Më herët qenë trajtuar edhe mundësitë e një qeverie me 'bazë të gjerë', pavarësisht se nevoja mungonte për një kombinacion të tillë. Qarkullonin haluçinacione që e shihnin Bashën ministër të Jashtëm etj.

Stina e spekulimeve ka ngrirë dhe është ngritur sipari i qeverisë së dytë të Ramës. Në krye të shtetit gjendet treshja më e majtë që tranzicioni ka prodhuar. Mund të thuhet, pa frikë historike, politike apo kulturore, se Komunzimi shqiptar po futet në fazën e Restauracionit.

(Druaj se e e djathta e ka këtu betejën e vet, megjithatë. Një luftë që zhvillohet nën yllin e antikomunizmit është një kohë e humbur elektorale, por kjo nuk është gjella e këtij shkrimi). 

Betejat e mëdha do të zhvillohen në fushat e ekonomisë dhe kredibilitetit. E para është ushta e qeverisë dhe e dyta e opozitës. Rama, siç u pa në samitin e Triestes, ka mbetur pa akse ekonomike që vijnë nga partneritetet e konsoliduara europiane. Ai prej kohësh e ka zgjeruar rrezen e shikimit kah Erdogani totalitar. Afrimi me regjimet autoritare mund të jetë një karshillëk, i futur në punë edhe më parë nga Kryeministri, ndaj Europës. Kësaj shijeje i shtohet edhe fakti se Integrimi, si prioritet prej më shumë se dy dekadash i qeverive dhe politikës shqiptare të të dy kaheve nuk ka një ministri të vetën.

A do të jetë ky një Ramë jugosllav? I cili, si Josip Tito do të ndjekë teorinë e 'vendeve të paangazhuara' duke u munduar të mjelë si Lindjen, ashtu dhe Perëndimin. Apo, a do t'i mëshojë ai detatës ballkanike që përfshin edhe bashkëpunimin e theksuar rajonal, sidomos me Veriun dhe Lindjen e Shqipërisë, duke krijuar një commonwealth ballkanik. Atij që është quajtur 'Jugosllavia e re', minus oksidentalet Kroaci dhe Slloveni dhe plus Shqipërinë, as-mish-as-peshk?

Edi Rama e dashuron një rol primadone në politikën ballkanike. Një Zot e di sa. Ai do donte gjithë sa Enver Hoxha kurrë nuk mundi ta kishte. Jashtë vjershave të socrealizmit, e kam fjalën, se në to ai qe 'një ndër dy luanët e botës'.

Të fundit