Qeveria e re e Kosovës, thirrjet e politikanëve pas votimit

Sot, prej orës 07.00 të mëngjesit Kosova ka hapur qendrat e votimit për të zgjedhur qeverinë e re në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ndërsa deri tani procesi ka vijuar i qetë me përjashtim të disa incidenteve në veri dhe Prizren, deri në orën 11.00 sipas KQZ kanë votuar rreth 9.64 për qind nga 1 milionë e 937 mijë e 868 votues.

Pjesë e këtyre votuesve kanë qenë edhe politikanë dhe kandidatë për drejtimin e qeverisë së re në Kosovë.

Ata kanë shmangur deklaratat politike dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e votimeve.

Hashim Thaçi: Dëshirojmë që t’i urojmë qytetarët e Kosovës, i ftojë ata që të votojnë për të mirën e tyre. Do të jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të sigurtë të Kosovës. Urime të gjithëve”, ka deklaruar Thaçi pas hedhjes së votës së tij”.

Vjosa Osmani kandidate për kryeministre nga LDK, shmangu deklaratat politike dhe bëri thirrje qytetarëve për të marrë pjesë në votime. “Thirrja ime është për të gjthë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj dite historike për Kosovën. Sot Kosova duhet të ketë arsye për të festuar. Uroj që procesi te jetë demokratik, të mos bëhet presione kundrejt qytetarëve”.

Ish kryeministri Ramush Haradinaj, nën koalicionin AAK-PSD u shpreh pas votimit: “I lus të gjithë qytetarët e vendit pa marrë parasysh bindjet politike që të dalin në zgjedhje, vetëm me votë vendosim vetë”.

Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje: Sot s’ka rendësi a je i pasur a i varfër, a vjen nga fshati a qyteti. A ke mbaruar shkollim te lartë apo jo. Të gjithë jemi të barabartë. Të gjithë ta shfrytëzojnë këtë shans historik për nga karakteri. Le të votojmë e le të festojmë.

I pyetur nga gazetarët nëse pas daljes së rezultateve VV do të bëjë një ofertë për LDK, Kurti tha: Le të presim rezultatet e votimeve dhe të festojmë.

Kadri Veseli, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës: Sot është një ditë e mirë për Kosovën tonë të shenjte, i uroj gjithë qytetarët e vendit të japin  perspektiven Kosovës tonë perëndimore, të ardhmes dhe fëmijëve tanë.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA – PSD – AKR, Fatmir Limaj: Jam i bindur, shpresoj dhe pres që vota sot e qytetarit do të jetë siguri e vendit, perspektivë, mundësi e jashtëzakonshme për t’i bërë hapat e duhur. Dhe kjo mundësi të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe ftoj që të gjithë ta shfrytëzoj këtë të drejtë, ndërsa në mbrëmje do të kemi një rezultat që do t’i siguronte një perspektivë dhe siguri për vendin.