Flash News

KRYESORE

Qeveria miraton fondin, 100 milionë lekë për diasporën

Qeveria miraton fondin, 100 milionë lekë për diasporën

Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar një fond për financimin e projektit ‘Diaspora për zhvillim’.

Sipas vendimit të publikuar në faqen e kryeministrisë fondi total për diasporën është 100 590 600 lekë.

Vendimi i plotë

V E N D I M PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “DIASPORA PËR ZHVILLIM” DHE ZBATIMIN E TIJ NGA FONDI SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.109, datë 30.11.2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Financimin nga buxheti i shtetit të projektit “Diaspora për zhvillim”, me kohëzgjatje 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj, me fond total prej 100 590 600 (njëqind milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekësh, sipas projektit bashkëlidhur.
  2. Fondi prej 100 590 600 (njëqind milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekësh ndahet, si më poshtë vijon:
  3. a) Për pjesën e mbetur të vitit 2018, të vihet në dispozicion fondi prej 4 078 811 (katër milionë e shtatëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) lekësh;
  4. b) Për vitin 2019, të vihet në dispozicion fondi prej 44 901 844 (dyzet e katër milionë e nëntëqind e një mijë e tetëqind e dyzet e katër) lekësh;
  5. c) Për vitin 2020, të vihet në dispozicion fondi prej 32 367 559 (tridhjetë e dy milionë e treqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh;

ç) Për vitin 2021, të vihet në dispozicion fondi prej 19 242 386 (nëntëmbëdhjetë milionë e dyqind e dyzet e dy mijë e treqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekësh.

  1. Shuma e parashikuar në projekt për vitin 2018, prej 4 078 811 (katër milionë e shtatëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga pakësimet e fondeve buxhetore, të miratuara në buxhetin e vitit 2018 dhe të papërdorura, për Agjencinë Kombëtare të Diasporës.
  2. Për vitin 2019, të parashikohet si zë i veçantë në buxhetin e shtetit, për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, projekti “Diaspora për zhvillim”, me kohëzgjatje 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj, me vlerë prej 96 511 789 (nëntëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh.
  3. Ky projekt do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.
  4. Fondi total prej 100 590 600 (njëqind milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekësh të transferohet në formë granti, me përfitues Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, në llogari bankare, në bankë të nivelit të dytë.
  5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Të fundit