Qeveria në Prishtinë po ia dorëzon Kosovën Serbisë, Tirana të mos rrijë indiferente

Nga Shaban Murati

Një përfaqësues i lartë zyrtar në Prishtinë, duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë deklaroi në datën 15 dhjetor se “ky dialog do të përfundojë me atë kontratën historike të pajtimit. Në fund do të ketë nënshkrim të kontratës, traktatit të paqes. Nuk besoj se Serbia do ta njohë shpejt Kosovën. Neve nuk na intereson se a na njeh neve Serbia apo jo. Unë besoj se kjo kontratë mund të jetë edhe e dhimbshme për Kosovën”. Kjo deklaratë provon saktësinë e informacionit dhe të shqetësimit të shprehur në artikullin tim të datës 11 dhjetor te “Gazeta Shqiptare” se Serbia ka hartuar një plan për t’i ofruar Kosovës anëtarësimin në OKB me kushtin që Kosova të heqë dorë nga njohja e saj si shtet dhe unë tërhiqja vëmendjen se disa segmente qeveritare në Prishtinë mund ta kenë pranuar planin serb. Nuk ka ende informacion nëse deri këtu është arritur në një qëndrim të përbashkët dhe të rakorduar të qeverisë dhe të Presidencës së Kosovës. Por duke qenë se teza e panevojës dhe e painteresit të Kosovës për t’u njohur nga Serbia përbën një fluturim diplomatik pindarik, me implikime të rënda për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe për vetë shtetin e Kosovës, mendoj se është nevoja e një analize dhe debati me publikun e gjerë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në diasporë.

Cila janë disa nga këto implikime të këtij qëndrimi të ri të Prishtinës?

Së pari, paraqitja si qëndrim dhe si platformë bisedimesh me Serbinë dhe e marrëdhënieve me Serbinë të heqjes dorë nga kërkesa për njohjen si shtet nga Serbia, sanksionon raportin metropol-provincë për të cilin insiston Beogradi. Me këtë tezë dhe qëndrim zhvlerësohet Deklarata historike e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008, sepse me atë vendim të Kosovës u vendos shkëputja nga Serbia dhe jo nga ndonjë shtet tjetër, që ka dalë nga ish-Jugosllavia. Duke hequr dorë nga kërkesa për njohje nga shteti serb, prej të cilit je shkëputur, don të thotë që të zhvlerësosh edhe Vendimin historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në 22 korrik 2010 vendosi që Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB. Prishtina nuk guxon ta neglizhojë njohjen nga Serbia, sepse njohja nga Serbia e Kosovës si shtet i pavarur është më e rëndësishme se çdo njohje tjetër nga shtetet e tjera të Ballkanit.

Së dyti, qëndrimi i ri i Prishtinës zhvlerëson logjikën dhe objektivin e bisedimeve në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE. Sepse me këtë qëndrim sanksionohen bisedimet me statusin e provincës për zgjidhjen vetëm të problemeve teknike dhe administrative, pa finalizimin e detyrueshëm me njohjen reciproke të dy shteteve. Është jashtë çdo logjike juridike dhe diplomatike që të pretendohet të nënshkruhet traktat historik pajtimi apo i paqes midis Kosovës dhe Serbisë, pa njohjen zyrtare midis dy shteteve nënshkruese. Traktate ndërkombëtare paqeje nënshkruhen midis dy shteteve, midis dy subjekteve të barabarta të jetës ndërkombëtare. Çdo traktat, që nuk nënshkruhet midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura që njohin njëra-tjetrën nuk mund të ketë vlerë juridike ndërkombëtare dhe do të jetë si dokument i brendshëm i Serbisë, të cilin Beogradi mund ta shkelë kur dhe sa herë të dojë.

Së treti, qëndrimi i heqjes dorë të Kosovës nga kushti i njohjes prej Serbisë mund të shndërrohet në një pengesë vullnetare për anëtarësimin e Kosovës në BE. Nëse me marrëveshjen e 19 prillit 2013 Serbia ka pranuar formalisht integrimin e Kosovës në BE, ajo e ka shkelur deri tani më të dyja këmbët këtë marrëveshje me veprimtarinë e saj të përditshme kundër njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, sepse ajo nuk e quan marrëveshje midis dy shteteve. Në rast se Kosova do të pranojë vetë zyrtarisht se nuk ka nevojë që Serbia ta njohë si shtet, është tepër e qartë perspektiva e trajtimit të Kosovës si pjesë e Serbisë. Kështu, Beogradi, nëpërmjet disa protektorëve të tij në BE, mund të luajë lojën dinake për rivënien në skenë të skenarit qipriot të anëtarësimit si Qipro në BE në vitin 2004, kur u pranua si gjysmë shteti, në një kohë që pjesa turke nuk u përfshi dhe automatikisht do të bëhet pjesë e shtetit anëtar të Qipros në BE, kur të zgjidhet konflikti qipriot. Edhe Serbia, e inkurajuar nga dorëheqja e Kosovës prej kushtit të njohjes si shtet, mund të presë që “pjesa shqiptare” të përfshihet më vonë në suazën e Serbisë si shtet. Qëndrimi i ri i Prishtinës i jep Serbisë alibinë e artë për të hyrë në BE pa e njohur Kosovën, në një kohë që shtetet kryesore të BE dhe në radhë të parë Gjermania, kanë përcaktuar kushtin e kushteve se hyrja e Serbisë do të bëhet pas njohjes së Kosovës nga ana e saj. Nëse vetë Kosova jep dorëheqjen nga ky kusht, kuptohet se shtetet europiane nuk do të tregohen më kosovarë se kosovarët. Me këtë qëndrim të ri Kosova detyron pesë shtetet e BE, që nuk e kanë njohur atë, që të mos e marrin fare në konsideratë as avancimin e procesit të njohjes dhe as avancimin e integrimit europian të saj. Sepse, nëse Kosova nuk paska nevojë të njihet nga Serbia, aq më pak ka nevojë të njihet nga Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro.

Së katërti, me këtë qëndrim të ri Prishtina ngre një mur të madh për frenimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Heqja dorë nga kërkesa për njohjen nga Serbia si shtet i pavarur do të bëhet një argument i fuqishëm i diplomacisë serbe për t’i bindur shtetet, që nuk e kanë njohur Kosovën, që të mos e bëjnë atë hap të panevojshëm. Sepse logjika do të jetë se nuk ka nevojë ta njohin shtetet e Afrikës, Azisë dhe të Amerikës Latine, derisa Kosova nuk e quan të nevojshme të njihet nga Serbia. Madje, kjo situatë mund të krijojë precedentin që të nxisë disa shtete, të cilat e kanë njohur Kosovën, që nën presionin e Serbisë dhe të Rusisë, të nisin rishikimin e njohjeve e tyre. Në këtë skenar Kosova do të verë në një pozitë tepër të vështirë aleatët dhe miqtë e saj ndërkombëtarë, që janë përpjekur dhe përpiqen kaq shumë në arenën ndërkombëtare për shtimin e njohjeve të Kosovës. Shtetet aleate dhe mike do të ndodhen përballë argumentit të ri se, nëse vetë Kosova nuk don të njihet pavarësia e saj nga Serbia, e përse duhet ta njohin shkëputjen e saj nga Serbia shtetet e tjera?

Së pesti, qëndrimi i ri i Prishtinës do të thotë një vetëbllokim i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sepse heqja dorë nga kushti i njohjes do të forcojë pozitat diplomatike të Serbisë për të kërkuar që të mos pranohet një shtet, i cili ende nuk dëshiron të shkëputet zyrtarisht nga Serbia në planin ndërkombëtar. Me pranimin e statusi të mosnjohjes nga Serbia, Kosova i krijon Serbisë kushte më të favorshme për ta përfshirë në projektin e presidentit serb “Jugosllavia e re”.

Nëse ky qëndrim do të zyrtarizohet si platformë e qeverisë dhe e Presidencës së Kosovës, kjo do të përbënte një zhvillim negativ për Kosovën dhe jo vetëm për atë. Çështja e statusit të Kosovës si shtet i pavarur dhe i sanksionimit të saj si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare nuk është çështje e një ministri apo edhe e një qeverie në Prishtinë. Ajo është çështje e madhe e interesit jetik kombëtar dhe shtetëror edhe e Kosovës, edhe e Shqipërisë. Mendim im është që Tirana nuk mund dhe nuk duhet të rrijë indiferente në këtë çështje dhe ajo duhet të deklarojë qartë dhe me zë të lartë pikëpamjen dhe qëndrimin e saj. Njohja e Kosovës nga Serbia është sanksionimi dhe pranimi zyrtar i Serbisë për shtetin e ri të pavarur të Kosovës dhe heqje dorë e qeverisë dhe e shtetit serb nga strategjia e zhbërjes së Kosovës si shtet. Një interes kaq i madh kombëtar nuk mund të konsiderohet domen vetëm i një qeverie në Prishtinë dhe ky vizion nuk ka të bëjë as me paternalizmin dhe as me ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të dytë shqiptar. Me këto erëra që po fryjnë në Prishtinë, nuk mund të mos lindë shqetësimi dhe pyetja e madhe shtetërore dhe kombëtare: “A do t’ia dorëzojë Kosova, Kosovën Serbisë”?

*Marrë nga ‘Gazeta Shqiptare’: A do t’ia dorëzojë Kosova, Kosovën Serbisë?