Flash News

KRYESORE

Qeveria me një yll e Edi Ramës 

Qeveria me një yll e Edi Ramës 

Gentian Gaba 

Edi Rama mblodhi sot grupin socialist në mjediset e Kryesisë pasi, siç tha ai, selia është e vogël për grupin e madh me 74 deputetë. Sakaq u nënshkrua një marrëveshje mes Partisë Socialiste dhe Qeverisë që ai drejton.

Tanimë nuk përbën lajm: Kryeministri bie në sy, jo vetëm për ato që thotë, por edhe për paraqitjen. Sot në mbledhjen e grupit në xhaketë mban si aksesor një yll të vogël të kuq.

E di, është një kurth! Është një gjetje nga ato të atij. Është një provokim për të na bërë që të mbajmë mendjen aty, të flasim për atë (dhe ndoshta jo për krimin që godet policinë në “far west-in” tonë); për pesë cepat dhe fushën e kuqe të yllit që ndriçon ngadhënjyes në gjoksin e liderit socialist.

Ylli i kuq me pesë cepa i përdorur prej 1917 si simbol i komunizmit; përfaqëson në retorikën bolshevike pesë gishtat e dorës së punëtorit në pesë kontinente, i cili lidhet me internacionalizmin e kryefjalës marksiste: Proletarë të gjithë botës, bashkohuni! Heqja e yllit nga flamujt dhe nga orenditë e shtetit tonë demokratik të viteve nëntëdhjetë ishte një akt politik, por dhe një simbolikë e qartë që synonte të nënvizonte fundin e një epoke, asaj të diktaturës komuniste, më të egrës diktaturë të këtij soji në Europë.

Kjo nuk mund të quhet tani një çështje e mbyllur. Akti që i pruri shqiptarëve flamurin e të parëve, ra pre e një nostalgjie të stisur për të mbajtur vëmendjen jo vetëm tek ylli në gjoks, por tek ylli në ballë të qeverisë: vetë Rama.

Rikthimi i simboleve të komunizmit është një vegjë komunikative e njohur e repertorit ramian. Përpjekja, gati shkencore, për të hequr vëmendjen nga temat reale, është një refren i stilit të tij. Tutat, atletet, fotografia e Ismail Qemalit, viti i Skënderbeut janë simbolet e “shoqërisë së spektaklit” që kërkon të spostojë debatin publik aty ku Rama dhe doktorët e tij të “spinit” kërkojnë ta rrokin. Interesi publik kërkon një qasje serioze ndaj dilemave kryesore të shoqërisë shqiptare, pra jo spostimin e vëmendjes, por vënien e mendjes në punë për të zgjidhur ato. Por nga tutat, atletet dhe yjet kuptohet shumë qartë se kjo nuk ka për të ndodhur.

Spektakli i marrëveshjes së partisë të Edit dhe qeverisë të Ramës tregon se është gjithmonë koha për “show”.

Sikurse pohon edhe vetë ylli që ai mban, kjo është mënyra që ai është dhe mënyra se si ai lodron me qytetarët dhe ndjeshmërinë publike të asaj shtrese, që nga ideologjia që ai yll i kuq përfaqëson kanë derdhur gjak, lot dhe djersë në kampet e internimit të regjimit komunist.

“Quousque tandem abutere, Catilina, patientia nostra?” (Edhe sa do të abuzosh me durimin tonë, o Katilina?) pyeste Ciceroni në fillimin e ligjëratës së tij kundër shkelësit të paqes dhe rendit publik përpara Senatit romak. Edhe sa do të abuzojë Rama me durimin dhe kujtesën e atyre që humbën, ose ju shkoi jeta në burgun e Burrelit, Spaçit ose në kampet e Tepelenës, Qafë Barit, Beratit, Kuçovës, Porto-Palermos, Shtyllasit, Savrës, Gradishtës, Grabjanit, Çermës?

Të fundit