Qeveria nuk ka krizë komunikimi, por një komunikim që nuk po mbulon dot krizën

Gentian Gaba

Prej ditësh po na përsëritet një refren nga ana e përfaqësuesve të mazhorancës, dhe është ai i mungesës së komunikimit si shkak i pakënaqësive që kanë krijuar masat e saj për “Rrugën e Kombit” dhe uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël.

Në të gjitha mediat, të reja dhe të vjetra, pas rrebeshit popullor që nisi në Kukës dhe u mbyll me qepenat e djeshme, mbinë si kërpudha kasnecët e specializuar në shuarjen e zjarreve.

Paradoksalisht, komunikuesit, që prej vitesh kanë zaptuar çdo qelizë mediatike, po na komunikojnë se nuk kanë komunikuar mirë.

Teza erëmon naivitet, pasi ata që kritikojnë komunikimin e tyre përbëjnë një tipologji politikanësh, si për shembull Kryeministri, të cilët do të zaptonin edhe atë hapësirë televizive të rezervuar për zonjushat e parashikimeve të motit, nëse do të gëzonin një siluetë më femërore.

Mos e quani autokritikë, është thjesht menaxhim krize.

Pikërisht për të dalë nga kjo krizë po përdoren dy strategji të njohura dhe lehtësisht të kuptueshme, përdorimi i aspektit emocional dhe zhvendosja në kohë e problemit.

Shfrytëzimi i emocioneve, si fjalimi plot pasion dhe frymëmarrje të rënduar, ose nxitja e frikës nga shkatërrimi iminent i rrugës që rrezikon jetë njerëzish, është një teknikë klasike për të goditur analizën racionale dhe sensin kritik të qytetarëve. Madje, për herë të parë, Rama përdori “sponsorizimin” në Fejsbuk të videos në të cilën përkufizonte si barbarë kuksianët që vërshuan kundër stacioneve të pagesës. Nëse, nga një pjesë e opinionit publik, ai fjalim u perceptua si një “rënie” dhe “tërheqje”, shpërndarja me pagesë e fjalimit në rrjetin social, nga ana e një Kryeministri që dominon pjesën dërrmuese të mediave në vend, duhet të na shtyjë të shohim qëllimet e vërteta të asaj deklarate. Domethënë spostimin në kohë të problemit, që është edhe strategjia e dytë që po përdor mazhoranca.

Një mënyrë për të pranuar një vendim jopopullor, është prezantimi i tij si i dhimbshëm dhe i nevojshëm, duke fituar në atë moment konsensusin e njerëzve për një aplikim në të ardhmen. Kështu mund të kuptojmë “tërheqjen” gjashtë mujore për taksën e rrugës dhe moratoriumin e gjobave për biznesin e vogël. Psikologjikisht është më e lehtë të pranosh një sakrificë në të ardhmen sesa në të tashmen, jo vetëm sepse presioni dhe shpenzimet nuk do të jenë të menjëherëshme, por, sepse, në mënyrë fëminore, kërkojnë që qytetarët të mendojnë se çdo gjë do të shkojë mirë në muajt në vijim, por qëllimi është të na mësojnë me ndryshimet që po ndodhin dhe t’i pranojmë ato.

Strategjia po funksionon. Pra, problemi i qeverisë nuk është komunikimi, por kriza reale në të cilën gjendet vendi, e cila nuk mbulohet dot nga komunikimi i mazhorancës.

Problemi real, i cili si pasojë ka reagimin qytetar në dy protestat e fundit, është paaftësia pesëvjeçare e mazhorancës për të nxitur zhvillim ekonomik.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore prej kohësh po paralajmërojnë ngadalësimin e ekonomisë, që përkon me maturimin e investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë, konkretisht TAP-i dhe Hidrocentrali i Devollit (të dyja investimet kanë firmën e paraardhësit të Ramës, gjithmonë ai!).

Në mungesë të investimeve, dhe të rënies së parashikueshme të rritjes ekonomike, taksat do të vazhdojnë të rriten për të paguar borxhet dhe për të financuar punimet publike (private) të cilat do të kenë për qëllim stimulimin e rritjes. Kjo situatë do të krijojë një spirale të taksave; të cilat do të rëndojnë jo vetëm qytetarët, por duke qenë më të lartat në rajon, do ta bëjnë Shqipërinë edhe më pak tërheqëse për invesitorët e huaj.

Për të dalë nga kjo krizë nuk kërkohet komunikim më i mirë, por qeverisje më e mirë. Ulje e borxhit publik, duke reduktuar shpenzimet në pispillosje qytetesh e fshatrash, ulje e taksave dhe ulje e burokracisë.

Sigurisht, masa të tilla kanë nevojë për një statist, dhe jo një estet me ‘kompleksin e kryebashkiakut’, sikurse është shfaqur Rama në këto pesë vite. Madje duke ruajtur të njëjtat zakone që kishte kur mbante shiritin e qytetarit të parë të kryeqytetit: leje ndërtimi, fasada dhe kaseta për mediat.

Por, Shqipëria nuk është vetëm Tirana, dhe, mbi të gjitha, një kryeministër ka detyra të tjera nga ato të një kryebashkiaku. Diferenca midis dy funksioneve është shumë e madhe, po aq sa ajo midis një menaxheri dhe një lideri. I pari menaxhon të tashmen, dhe ngre taksat, i dyti të ardhmen, dhe sjell investime si TAP-i dhe Devolli.

E qartë, apo jo?!