Flash News

KRYESORE

'Qeveria parlamentare' e Lulzim Bashës dhe simbolikat e saj

'Qeveria parlamentare' e Lulzim Bashës dhe simbolikat e saj

Alfred Lela

Pasi e ka drejtuar për katër vite opozitën parlamentare, pa qenë i pranishëm në Parlament, Lulzim Basha, duke filluar që nesër bëhet kryetar 'me kohë të plotë' i Frontit Opozitar. Ai do të rikthehet në Kuvend për të drejtuar edhe grupin parlamentar. Megjithëse Edmond Spaho do të mbajë, zyrtarisht, postin e kreut të parlamentarëve Demokratë, z. Basha do të jetë, si profil, hierarki dhe procedurë, kryetari i Grupit.

Imagjinojeni të përmbysur skenën. Nëse kryetari i partisë mbledh grupin parlamentar në selinë blu, autoriteti i thirrësit e transporton veten edhe në mbledhjet në selinë e Kuvendit. Autoriteti nuk është diçka me kohë të pjesëshme apo zhvendosje territoriale. 

Kjo nuk don të thotë se z. Spaho është për t'u nënvlerësuar, por është vetëm nevojë e pranimit të fuqisë që ka simbolika në politikë.

Një simbolikë e dytë, që i bën mirë hapit dhe ritmit të një nisjeje, është edhe qëndrimi moral që do të mbajë nesër Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar: Pozicionimi i qartë me 'votë kundër' në proces parlamentar për propozimin e Partisë Socialiste. Kjo ftesë e PS, që është emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, është edhe guri i themelit, i vendosur mbrapsht, në marrdhëniet mazhorancë-opozitë.

Ai është litari në shtëpinë e të varurit, dhe kush ka pritur që Demokratët të kërcenin nga gëzimi, për të arritur sa më lart dhe sa më afër litarit, është në litani nervore.

Vendimi i Bashës për të mos e pranuar ftesën është moral, i drejtë, i duhur, koherent dhe politik, dhe e mban opozitën e djathtë me sy hapur ndaj psikologjisë që don të trafikojë Kryeministri, se në këto kohët dhe anët  tona çdo gjë fluturon dhe gjithçka hahet.

Sa i takon simbolikës së tretë, asaj të emrave që z. Basha ka zgjedhur për hierarkinë parlamentare të Demokratëve, mund të thuhet diçka, por jo e gjitha. Kjo, për faktin se kur vjen puna te emrat e përveçëm, pakënaqësitë, zilitë, leximet e pjesëshme, janë thjesht pjesë të natyrës njerëzore.

Për shembull, zgjedhja e Edi Palokës si nënkryetar i Kuvendit ngjan e natyrshme politikisht dhe në planin menaxherial. Nëse Socialistët kanë vendosur një veteran dhe një skifter në krye të Kuvendit, Demokratët nuk mund të paraqiteshin në thertore me një pëllumbeshë.

Edmond Spaho, një profil i paqtë, nuk barabitet kurrkund me bulizmin (mujsharinë) dhe agresivitetin permanent të Taulant Ballës. Por, u tha në krye, që rolin e operatorit 'të ashpër' politik e luan vetë Basha i cili ka patur Çadrën si një hapësirë spartane për këtë stërvitje.

Zëdhënësja dhe Sekretari i grupit, përkatësisht Grida Duma dhe Ervin Salianji janë një dyshe ilustruese. Të cilësuar dhe të qenë 'prurje të reja', Duma përshtatet me funksionin e zëdhënëses, sa me fotozheninë aq edhe me funksionalitetin. Ajo luan në parti rolin e Sekretares së Mardhënieve me Publikun dhe, në emerimin  e ri është brenda natyrës së deritashme.

Salianji mbetet për t'u provuar si politikan, por ndër rishtarët e Bashës është dëshmuar më i kalituri. 

Zgjedhjet e Bashës për emërimet në 'qeverinë parlamentare' të PD, janë rrjedhojë direkte e zgjedhjeve të tij për listën. Atëherë ka patur më shumë hapësirë për të lëvizur, tani, sigurisht, më pak.

Kush nuk e ka qortuar për zgjedhjet e atëhershme, e ka humbur të drejtën për ta bërë tani.

Të fundit