Flash News

OP-ED

Qeveria Rama ose Robin Hudi i përmbysur: ua merr të varfërve për t'ua dhënë të pasurve

Qeveria Rama ose Robin Hudi i përmbysur: ua merr të varfërve

Klementin Mile

Parimi i Robin Hudit, banditit hero të folklorit anglez, ishte t’ua merrte pasurinë të pasurve dhe t’ua shpërndante të varfërve. Parimi i qeverisë “Rama”, prej dy vitesh e vetme në pushtet, është t’u marrë para të varfërve dhe t’ua shpërndajë të pasurve. PPP-të, tenderët dhe koncesionet janë mjetet për ta realizuar këtë operacion qeveritar. Në këtë kuptim, qeveria “Rama” është një lloj Robin Hudi i kthyer përmbys.

Problemi, megjithatë, është më i rëndë se kaq. Po të ishte vetëm fakti që qeveria ngarkon me taksa të varfrit dhe ndihmon të pasurit, kjo mund të justifikohej ideologjikisht si pozicionim i qeverisë djathtas në spektrin ideologjik, me idenë se kështu, duke ndihmuar të pasurit, këta do të nxiteshin të zhvillonin më tej bizneset e tyre, gjë nga e cila do të përfitonin të gjithë. Natyrisht, për një qeveri që e quan veten të majtë, kjo do të ishte problematike për identitetin e saj para votuesve, por, sidoqoftë, jo në dëm të interesit publik.

Problemi është se të varfrit, të cilëve qeveria u merr para, nuk janë vetëm një përqindje e vogël e popullsisë, por thuajse të gjithë dhe, nga ana tjetër, të pasurit, të cilëve qeveria u shpërndan para, janë vetëm një grusht njerëzish të privilegjuar. Gjendja kur u merren para 99 për qind të njerëzve për t’ua dhënë ato 1 përqindëshit, nuk mund të justifikohet ideologjikisht.

Situata rëndohet më tej kur shohim se qeverisja robinhudeske e përmbysur, përveçse u merr para të gjithëve për t’ua dhënë disa të privilegjuarve, nuk arrin, nga ana tjetër, të prodhojë politikë publike cilësore. As shkolla më të mira, as spitale më dinjitoze, as rrugë më të sigurta, as punësim më të lartë, as jetë kulturore më të pasur.

E megjithatë, në një regjim hibrid, me tipare formale demokratike dhe me tipare substanciale diktatoriale, thënë ndryshe në një demokraturë, qeverisë “Rama” nuk i intereson të kënaqë 99 për qind të njerëzve. Në një regjim të tillë, për të qëndruar në pushtet, qeveria ka llogaritur vetëm të realizojë interesat e 1 përqindëshit; të atyre, pra, që u referohemi shpesh si oligarkë dhe si njerëz të krimit. Ata kanë mjetet e nevojshme për ta ndihmuar qeverinë në ditë të keqe. Ata kanë para për fushatë, kërcënime për vota, media për propagandë, influencë për marrëveshje.

Ky 1 përqindësh janë mbështetësit esencialë të qeverisë. Prej besnikërisë së tyre varet mbijetesa në pushtet e saj. Për këtë arsye, në çështjen e Teatrit Kombëtar, qeveria nuk është me artistët, por me oligarkun që do të ndërtojë kullat. Për këtë arsye, në çështjet e shitblerjes së votave në Durrës dhe Dibër, qeveria nuk është me njerëzit që kërkojnë drejtësi, por me blerësit e votave. Për këtë arsye, në çështjen e tenderit të Unazës së Re, qeveria nuk është për zbardhjen e ngjarjes, por për fshehjen e përgjegjësit.

Të gjitha punët publike të kryera në vend dëshmojnë se vlerat dhe interesat e 99 për qind të qytetarëve nuk përfillen fare nga qeveria “Rama”. Me llogari pragmatike qeveria ka të drejtë: për aq kohë sa regjimi, ura lidhëse e shoqërisë me shtetin, nuk është demokratik, rëndësi politike ka vetëm opinioni dhe pozicionimi i ultrapakicës esenciale. Ata janë pakica që na mund. /Gazeta Liberale

Të fundit