Qeveria rikthehet te koncesionet: Bashkitë mund t’ia japin edhe privatit mbledhjen e të ardhurave

Qeveria, e cila ndër vite ndezi dritën e gjelbër me disa dhjetëra koncesione në sektorë të ndryshëm, duket se ka menduar që edhe vendorët të aplikojnë skema të ngjashme.

Një ndër lidhet me mbledhjen e të ardhurave. Në nenin 12, pika 3 e ligjit “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të miratuara së fundmi, saktësohet pikërisht kjo praktikë. “Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të hyjnë në marrëveshje me njëra-tjetrën apo me agjentë tatimorë për mbledhjen e të ardhurave vendore me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas një procedure transparente dhe konkurruese”, – thuhet në pikën 3. Kjo do të thotë që një bashki, e cila ka burimet e nevojshme njerëzore mund të mbledhë taksat e një tjetër bashkie duke marrë në kthim një përfitim të rënë dakord paraprakisht.

Togfjalëshi “agjent tatimor”, nga ana tjetër, nënkupton kompani private që janë të gatshme të ofrojnë këtë shërbim, pra mbledhjen e të ardhurave për llogari të njësive bashkiake. Përfitimi i tyre mund të llogaritet me tarifë fikse dhe përqindje në bazë të suksesit, disa modele që nuk kanë kaluar pa u lakuar edhe më herët. Një shembull i tillë ishte rasti i skemës së TVSH-së që ju propozua dikur Ministrisë së Financave por që nuk arriti të mbyllej me një marrëveshje.

Por si paraqitet situata sot.

Me rregull, bashkitë kanë drejtoritë e tyre të tatim-taksave të cilat bëjnë mbledhjen e taksave vendore. Në rastet e mbledhjes me forcë hyn në lojë edhe Policia Bashkiake. Vendorët e kanë marrë këtë kompetencë prej shumë vitesh, në kuadër të decentralizimit, dhe mbledhja e taksave kaloi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek drejtoritë vendore. Gjithsesi sot ligji shton një opsion të ri që njësitë vendore të hyjnë në bashkëpunim me njëra-tjetrën ose të marrin këtë shërbim nga privati duke synuar mbledhje më efikase të të ardhurave dhe kosto më të ulët për këtë punë.

Koncesioni i TVSH, përpjekja që dështoi

Në janar të vitit 2016, Ministria e Financave bëri publike nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik-Privat, në fushën e administrimit tatimor. Thelbi i propozimit është një platformë teknologjike, që zëvendëson dhe zgjeron sistemin aktual të deklarimeve fiskale, Nexus, me të cilin operohet prej disa vitesh në DPT dhe në të cilin kasat aktuale fiskale deklarojnë të dhënat ditore.

Sipas ofertës së pakërkuar që kishte dorëzuar kompania private, ndarja e rritjes së të ardhurave do të varet nga formula e shprehur në termat e referencës, pra nëse në vitin e parë rritja do të jetë 0-4% mbi 11%, atëherë partneri do të marrë maksimalisht 90% të shtesës. Nëse rritja do të jetë nga 4-6% (mbi 11%) do të marrë maksimalisht 65% dhe po arriti nga 7-10% (gjithnjë mbi 11%) partneri privat të marrë 45% të shtesës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeroi qeverisë shqiptare në rishikimin e pestë dhe të gjashtë të Marrëveshjes me Shqipërinë që të analizonte në mënyrë të hollësishme kostot dhe përfitimet e koncesionit të administrimit të TVSH para se të niste tenderi.

Pas kësaj ndërhyrjeje dhe rritjes së të ardhurave nga TVSH e brendshme me rreth 15% nga vetë administrata pa ndihmën e koncesionit, ky projekt u la në heshtje. Nëse koncesioni do të ishte zbatuar, privati do të kishte marrë 90% të të ardhurave shtesë për rritjen nga 11-15%, megjithëse nuk do të ishte merita e tij për këtë zgjerim). (Monitor)