“Quhesha anormal”, Rama flet për ditën që humbi të atin: Hoqa vëthin dhe mjekrën pa shkumë

Kryeministri Edi Rama ka treguar më shumë nga e shkuara e tij, teksa ka takuar familjet që humbën familjarë nga tërmeti i 26 nëntorit, të akomoduara në shtëpi në Durrës.

Ndërsa ndodhej në familjen e Fatmir Gjanës, i cili mbijetoi 24 orë nën rrënoja, por humbi gruan në pallatin e shembur 5-katësh, Rama ka kujtuar ditën që humbi të atin, Kristaq Rama.

“Unë isha në Paris. Kishim marrëdhënie të afërt. Kur mora vesh, hoqa vëthin që kisha në vesh.

Unë duhet të nisesha të nesërmen se s’kishte avion dhe nga stresi kam ndejt disa orë, me pas hoqa mjekrën pa shkumë fare. Edhe u bëra normal, se atëherë quhesha anormal”, kujton kryeministri.

Po ashtu, ai është ndalur edhe te fëmijëria e tij dhe kujton se si vepruan prindërit e tij kur një natë ra një tërmet.

“Mbaj mend kur ishim të vegjël që ra një tërmet. Kristaqi më kapi mua dhe Neta mori Olsin dhe qëndruam te dera. Këtu më është fiksuar se nuk duhet të vrapojmë te shkallët”, tha Rama.