Flash News

OP-ED

Qytetaria e protestuesve kundër brutalitetit të Policisë

Qytetaria e protestuesve kundër brutalitetit të Policisë

Red Varaku

Protestat kundër kryeministrit Rama duket që nuk do të ndalen, madje po shtohen nga dita në ditë. Ajo që vihet re është se, edhe pse pakënaqësia ndaj reformave të bujshme të ndërmarra prej tij është në rritje, ato vazhdojnë të mbeten paqësore.

Qytetaria e protestuesve e ka shqetësuar shumë kryeministrin, i cili në retorikën e tij nuk le rast pa i thumbuar dhe provokuar. Por qëndrimi i tij nuk ka mbetur vetëm retorikë. Ka një përpjekje të vazhdueshme nga ana e policisë për ta nxitur dhunën, si nëpërmjet ndërhyrjeve brutale, ashtu edhe nëpërmjet infiltrimit në mesin e protestuesve të elementëve provokues.

Këta elementë të infiltruar, në fakt janë njëkohësisht edhe aktorët kryesorë në kronikat e lajmeve. Ata zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e regjisorëve politikë që qëndrojnë pas tyre, në mënyrë që filmi të ngjajë sa më real dhe i vërtetë.

Imazhet e këtij filmi, me njerëz që sulmojnë policinë me gurë dhe që dhunojnë pronën publike transmetohen sistematikisht një javë rresht në ekranet shqiptare. Kaq mjafton për të demonizuar protestuesit, për ta shfaqur protestën si kërcënim për pronën e qytetarëve dhe për të legjitimuar më pas dhunën dhe arrestimet ndaj tyre. Çuditërisht shumë media nuk transmeton me mijëra qytetarë që protestojnë paqësisht dhe me dinjitet.

Pamjet e dhunës janë një dhuratë e çmuar për Policinë. Ato i shërbejnë fushatës së ndërmarrë nga qeveria për ta portretizuar protestën thjesht si lëvizje opozitare dhe jo si zemërim popullor. Ato shërbejnë gjithashtu për ta paraqitur atë si lëvizje të rrezikshme dhe të dhunshme, me qëllim për të mbytur thirrjen që buron nga nevoja për liri dhe demokraci.

Shqipëria aktualisht ndodhet në një krizë të rëndë. Kriza ka shtuar prezencën e policisë të armatosur me mjete të blinduara në rrugët e Shqipërisë.Dhuna dhe arrestimet po përdoren si justifikim për të shtypur shpirtin e revoltës që është ndezur. Papërgjegjshmëria e Ramës po i hedh disa grupe shoqërore të rëndësishme në rrugë dhe po i degdis jashtë Shqipërisë. Shurdhëria e tij po i shtyn disa prej tyre të mendojnë të pamendueshmen. Për shkak të papërgjegjshmërisë së Ramës, situata mund të dalë jashtë kontrollit nga momenti në moment.

Ai i trembet një kryengritjeje popullore, ndaj dhe është gati të bëjë çdo lloj marrëveshjeje për të mbajtur pushtetin. Brutaliteti i qeverisë që ai përfaqëson po rritet dhe po i kalon caqet. Ai nuk duket se do të ndalet. I verbuar nga lakmia për para dhe pushtet ai është gati të bëjë gjithçka.

Ndaj, edhe pse mediatikisht e censuruar, lufta për të drejtën dhe lufta për ta rrëzuar këtë qeveri duhet të vazhdojë vetëm paqësisht. Albert Kamy shkruante, që jeta kërkon nga ne “être à la hauteur de son désespoir”—të ngrihemi mbi nivelin e dëshpërimit tonë. Pra, të vazhdojmë paqësisht marshimin drejt rrëzimit përfundimtar të tiranisë së fundit shqiptare.

 

Të fundit