Flash News

Rajoni

Bullgaria bëhet qendër rajonale për furnizimin me gaz

Bullgaria bëhet qendër rajonale për furnizimin me gaz

Një qendër rajonale koordinimi do të ngrihet në Bullgari për të menaxhuar përdorimin e përgjithshëm të infrastrukturës së gazit dhe energjisë elektrike dhe blerjet shtesë të gazit për Ballkanin dhe Italinë.

Lajmin e njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i financave Asen Vassilev në Bruksel pas takimit me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, raporton Euractiv. Bullgaria ka marrë mbështetje të fortë nga Komisioni Evropian për vendimin e saj për të refuzuar të paguajë Rusinë për gazin në rubla.

“Kemi kërkuar që infrastruktura bullgare të përdoret për shpërndarjen e gazit në rajon dhe do të përdoret për këtë qendër (për shpërndarjen e furnizimeve). Bullgaria jo vetëm që mund të sigurojë tre miliardë metër kub (bcm) gaz, por mund të sigurojë 17-20 miliardë metra kub gaz edhe për vendet e tjera evropiane”, tha Vassilev.

Bullgaria mund të përdorë gazsjellësin Transballkanik, i cili për 30 vjet transportonte gazin rus përmes Ukrainës në Evropën Juglindore. Kapaciteti i tij është 17 bcm, mund të ndryshojë rrjedhat e gazit dhe aktualisht nuk përdoret në kurriz të Rrjedhës Turke.

Gazsjellësi Transballkanik ka kapacitet dhe lidhje të mjaftueshme me rrjetet e vendeve fqinje për të luajtur një rol të rëndësishëm në çlirimin e rajonit nga varësia e gazit nga Rusia së bashku me interkonektorin e gazit bullgaro-grek.

Kapaciteti i Rrjedhës Transballkanike është rezervuar nga Gazprom, megjithëse nuk përdoret. Pas shkeljes së njëanshme të marrëveshjeve me Bullgarinë, vendi mund të kërkojë opsione ligjore me ndihmën e Komisionit Evropian për të çliruar kapacitetin e gazsjellësit.

Bullgaria po shqyrton mundësinë që kompania bullgare e gazit Bulgargaz të padisë Gazprom lidhur me furnizimet e pezulluara dhe sasitë alternative të gazit mund të jenë më të lira se ato ruse.

Të fundit