Flash News

Rajoni

Franca bllokon dy kapituj kyç progresin të negociatave të Malit të Zi me BE-në

Franca bllokon dy kapituj kyç progresin të negociatave të Malit

Mali i Zi rrezikon të mbyllë vetëm tre nga pesë kapitujt e parashikuar të negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit, pas bllokimit nga Franca të dy kapitujve kyç.

Sipas Vijesti, përfaqësuesit francezë kanë kundërshtuar avancimin e kapitullit 11, që lidhet me bujqësinë dhe zhvillimin rural, dhe kapitullit 13 për peshkimin. Qëndrimi i Parisit u bë i ditur gjatë mbledhjes së Grupit të Punës së Këshillit të BE-së dhe më pas u konfirmua në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare.

Argumenti i delegacionit francez ishte se kapitujt 11 dhe 13 nuk përputhen ende me standardet e BE-së, pa dhënë shpjegime të detajuara për këtë vërejtje. Kjo frenon pritshmëritë e Podgoricës për një avancim më të shpejtë në procesin e integrimit.

Në fazën e ardhshme, konferencën ndërqeveritare në nivel ministror, pritet të mbyllen vetëm tre kapituj: kapitulli 3 për të drejtën e themelimit të ndërmarrjeve dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, kapitulli 4 për lirinë e lëvizjes së kapitalit, dhe kapitulli 6 për të drejtën tregtare. Burimet diplomatike theksojnë se mundësia për një ndryshim të vendimit francez është minimale.

Mali i Zi ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 29 qershor 2012 dhe deri tani ka hapur të gjithë 33 kapitujt, duke mbyllur përkohësisht shtatë prej tyre.

 

Të fundit