Flash News

Rajoni

Gjendet një trup i pajetë në Ulqin, dyshohet se është e shefit të antidrogës, i zhdukur prej 27 majit

Gjendet një trup i pajetë në Ulqin, dyshohet se është e

Një trup i pajetë, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, është gjetur gjatë mbrëmjes së djeshme në Sveti Đorđe të Ulqinit. 

Administrata e Policisë malajzeze, jozyrtarisht, i tha televizionit Vijesti se rezultatet paraprake të hetimit tregojnë se trupi i pajetë i përket shefit të antidrogës të Ulqinit dhe Tivarit, Rudolf Elezoviç

I njëjti burim tha se shkaku i vdekjes do të përcaktohej nga autopsia, por që tani për tani, gjithçka tregon për vetëvrasje.

Elezoviç ka humbur kontaktet me familjen që prej 27 majit dhe që atëherë rezulton i zhdukur në rrethana ende të paqarta. Në kontaktin e fundit që ai ka pasur me familjarët e tij, Elezoviç iu ka thënë se ishte duke pritur në afërsi të zonës së Pentarit, në lumin Buna, një person që të shkonte ta merrte me varkë dhe ta çonte në anën tjetër të Malit të Zi.

Elezoviç aktualisht ishte efektiv i policisë kufitare në Malin e Zi dhe së bashku me policinë shqiptare, ka qenë duke hetuar trafikun e lëndëve narkotike në dy anët e kufirit. 

Dy pistat ku po hetonte policia:

Dyshohet se Rudolf Elezoviç mund të jetë i përfshirë në trafikun e 2.5 ton marijuane në Malin e Zi, e cila u kap në kuadër të operacionit  "Kurthi” që çoi ne pranga 24 persona. Nga burimet pranë policisë, mësohet se emri i Elezoviç është përmendur nga një prej të arrestuarve në këtë operacion, Andrija Karadjinovic, i cili ndërkohë ka marë statusin e një dëshmitari të mbrojtur dhe dyshohet se Elezoviç ka qenë personi që jepte informacionet te grupi i trafikut të marijuanës për lëvizjet e policisë.

Duke u nisur nga kjo, dy janë pistat ku po hetohet. Një prej tyre është se Rudolf Elezoviç mund të jetë fshehur vetë, pas arrestimit të grupit të trafikut të marijuanës me të cilët dyshohet se kishte lidhje.

Dhe pista tjetër e hetimit është se ai mund të jetë ekzekutuar nga persona të tjerë të lidhur me krimin. Një grup polumbarësh kanë ushtruar kërkime përgjatë lumit "Buna". 

Të fundit