Flash News

Rajoni

Kongresisti amerikan kërkesë presidentit Biden: Ndihmo Kosovën të anëtarësohet në NATO

Kongresisti amerikan kërkesë presidentit Biden: Ndihmo Kosovën

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati, Ritchie Torres, ka kërkuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Në një letër dërguar presidentit Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kongresisti kërkon që SHBA të ndihmojë Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s, raporton REL.

“Duke marrë parasysh pushtimin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike. Është parësore për sigurinë evropiane që ne të vazhdojmë dhe të zgjerojmë partneritetin që kemi përmes NATO-s. Prandaj, si një prej aleateve më të fuqishme të SHBA-së, u bëjmë thirrje që të shtoni përpjekjet tuaja që të siguroheni që Kosova të pranohet në NATO si shtet anëtar”, thuhet në letër.

Në letër, Torres ka përmendur edhe sanksionet qëë Kosova ka vendosur ndaj Rusisë, duke përmendur se në kushtet aktuale nuk është më pak e rrezikuar nga agresioni rus.

“Agresioni rus është po ashtu shqetësues për Kosovën dhe për shkak të raporteve veçse të tensionuara që ka me fqinjin e saj, Serbinë. Serbia vazhdon të largohet nga Perëndimi dhe të afrohet drejt idealeve ruse”, shkruante Torres.

Kongresisti amerikan ka përshëndetur hapat e ndërmarra nga Kosova, duke përmendur kërkesën e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, që Kosova t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe vendimin e Kuvendit qeveria të nisë negociatat për anëtarësim.

“Ne pajtohemi me këto veprime. Përderisa Rusia vazhdon të sillet si një aktor joracional dhe Serbia forcon raportet me Rusinë, është kritike që të ndihmojmë aleaten tonë Kosovën që t’i bashkohet NATO-s. Ne situatën e sigurisë që po zhvillohet shpejt në Evropë, ne duhet të qëndrojmë përkrah aleates sonë Kosovës dhe të sigurohemi që ajo shpejt t’i bashkohet NATO-s si shtet anëtar”, thuhet në fund të letrës së kongresistit.

Të fundit