Flash News

Rajoni

Kuvendi i RMV-së miraton dorëheqjen e Zoran Zaev

Kuvendi i RMV-së miraton dorëheqjen e Zoran Zaev

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot dorëheqjen e Zoran Zaev, nga posti i kryeministrit.

Kuvendi deklaroi se sipas dispozitave kushtetuese, dorëheqja e Zaev nënkupton dorëheqjen e të gjithë qeverisë. Njëkohësisht Kuvendi theksoi se qeveria aktuale do të vazhdojë fgunskionin deri në zgjedhjet e reja dhe vendosjen e një qeverie të re.

Në letrën drejtuar Kuvendit, Zaev është shprehur se këtë vendim e ka marrë si "një hap logjik që ka lindur nga rezultati i zgjedhjeve lokale" të tetorit dhe si "shprehje e përgjegjësisë" për këtë rezultat.

"Në kushte të këtilla për mua personalisht dhe për mua si kryeministër, për shkak të politikave që besoj, do të ishte papërgjegjësi politike dhe e pajustifikuar para popullit tim dhe vendit tim, që unë personalisht të vazhdoj ta udhëheq qeverinë në rrugën euroatlantike. Mendoj se një kryeministër tjetër nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) do të mund ta arrijë këtë në mënyrë më të mirë, me sukses edhe për qytetarët edhe për shtetin", u shpreh Zaev.

Zoran Zaev e paralajmëroi dorëheqjen e tij që pas humbjes së zgjedhjeve të fundit kur dorëzoi edhe postin si kreu i LSDM-së. Partia në pushtet më herët gjatë muajit zgjodhi Dimitar Kovaçevskin për udhëheqës të ri.

Të fundit