Flash News

Rajoni

"Liderët mirëpritën ftesën e Merkel", Portali për Ballkanin Perëndimor: Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në 2021

"Liderët mirëpritën ftesën e Merkel", Portali
Foto Ilustruese

Liderët kryesorë të Bashkimit Evropian mblidhen sot në Sofje të Bullgarisë, së bashku me krerët e shteteve të rajonit të Ballkanit.

Pjesë e këtij Samiti që ka nisur virtuarlisht që nga ora 10:00 dhe pritet të zgjasë disa orë, është edhe Kosova me kryeministrin Avdullah Hoti.

Portali i Ballkanit Perëndimor Evropian që merret me raportimet mbi zhvillimin e politikës së zgjerimit të BE, ka njoftuar se takimi i ardhshëm i Procesit të Berlinit, do të mbahet në Berlin në vitin 2021.

Në draftin e Konkluzioneve të Kryetarit që do të nënshkruhet në fund të samitit të liderëve Ballkanit Perëndimor, thuhet se "liderët e mirëpritën ftesën nga Kancelarja Merkel për Samitin e ardhshëm në Berlin në 2021".

Samiti në Sofje shënon fundin e kryesisë së përbashkët të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që u cilësua si e suksesshme nga  Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ekaterina Zaharieva, Zëvendës Kryeministri për Reformën në Drejtësi dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, gjatë Forumit të Tankut dhe Shoqërisë Civile të Procesit të Berlinit.

“Kryesia e Përbashkët ka treguar se dhënia e pronësisë së procesit mund të prodhojë një përgjigje të drejtë nga rajoni për nevojat dhe interesat konkrete. Procesi i Berlinit mbetet një instrument që synon kohezionin rajonal, duke siguruar njëkohësisht konvergjencën me tregun e vetëm të BE-së”, thuhet në draft.

Në draft gjithashtu thuhet se "Kryesia e Përbashkët lavdëron vizionin e Kancelares Merkel dhe administrimin gjerman të këtij procesi", i cili bashkoi palë të ndryshme të interesuara duke shtuar cilësi në bashkëpunimin rajonal.

Kujtojmë se Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e diplomacisë politike e nisur personalisht nga kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel në gusht 2014.

Ideja prapa Procesit të Berlinit është të plotësojë dhe mbështesë procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrës janë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Bosna dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova, dhe shtetet : Gjermania, Austria, Franca, Italia, Kroacia, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Greqia dhe Bullgaria.

Të fundit