Flash News

Rajoni

VLEN reagon pas protestës së studentëve: Drejt zgjidhjes çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe

VLEN reagon pas protestës së studentëve: Drejt zgjidhjes

Koalicioni VLEN ka deklaruar se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut po shkon drejt një zgjidhjeje konkrete, pas protestave të fundit të studentëve shqiptarë në Shkup.

Në një reagim publik, përfaqësues të koalicionit theksojnë se problemi nuk është adresuar për më shumë se dy dekada nga qeveritë e mëparshme, duke akuzuar BDI-në për mungesë veprimi gjatë periudhës së saj në pushtet.

Sipas VLEN-it, aktualisht po ndërmerren hapa institucionalë për të mundësuar që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje që do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.

Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, thuhet në reagim.

Të fundit