Flash News

KRYESORE

Rama i 2015-ës dhe Rama i 2017-ës, si ndryshoi qëndrimi i kryeministrit për prefekturat

Rama i 2015-ës dhe Rama i 2017-ës, si ndryshoi qëndrimi i

Kryeministri Edi Rama emëroi 12 prefektët e rinj, të cilët zgjodhi t’i prezantonte vetë, si asnjherë më parë, në një dalje për mediat nga kryeministria.

Pasi vlerësoi emrat e përzgjedhur, kreu i qeverisë foli edhe për rolin që do të kenë prefektët duke i cilësuar ata, ndër të tjerash, si një kullë vrojtimi për të gjithë veprimtarinë shtetërore.

“Roli i prefektëve merr një rëndësi të veçantë, një kullë vrojtimi për të gjithë veprimtarinë shtetërore në territor. Do të jenë përgjegjës përpara qeverisë për situatën e kontrollit të territorit në atë qark në kuptimin e marrjes në dijeni në kohë reale për të gjitha problematikat që pastaj institucionet e tjera duhet t’i trajtojnë”, u shpreh ndër të tjerash Rama.

Por në vitin 2015, Rama kishte një tjetër qëndrim sa i takon prefekturave. Në valën e diskutimeve për reformën territoriale, Rama do të shprehte një sërë kritikash përsa i përket qarkut dhe prefekturave.

“Prefekturat në Shqipëri janë institucione, të cilat, në rastin më të mirë, nuk duhet të jenë, në rastin më të keq duhet të ndryshojnë tërësisht formë dhe përmbajtje. Ne nuk jemi Franca e Napoleonit, që duhet të kemi patjetër edhe prefektura, pavarësisht se kur i kemi bërë, kemi qenë napoleonian në qasje”, do të shprehet Rama në një nga aktivitetet e organizuara për reformën administrative në qershor të 2015-ës. Ndërkohë, në po atë aktivitet, kreu i qeverisë do të shtonte se “qarqet janë struktura absurde, janë kushtetuese dhe qëndrojnë aty”.

Nuk dihet çfarë ka ndodhur me qëndrimin e Ramës për këto dy njësi por fakt është që Rama i 2017-ës po sillet krejt ndryshe nga ato që Rama i 2015-ës ka deklaruar./Politiko.al

Të fundit