Rama, Basha dhe Meta kujtojnë eksodin e shqiptarëve, mesazhet që përcjellin

Kryeministri Edi Rama, presidenti Meta dhe kryedemokrati Basha e kanë nisur ditën e sotme duke kujtuar eksodin historik të shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist.

Përmes një videoje të postuar në Facebook Rama ka kujtuar 30 vjetorin e hapjes së ambasadave, ku shqiptarët kërkonin liri dhe hapën dyert e përfaqësive diplomatike në Tiranë.

Duke kujtuar ngjarjen në fjalë Rama nënvizon se duhet të kuptojmë çmimin e lirisë.

Postimi i Ramës

MIRËMËNGJES 😊

30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë🇦🇱❤️

Presidenti Meta ka postuar në Facebook, një foto të shkrepur 30 vjet më parë brenda Ambasadës gjermane në Tiranë, ku rreth 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri.

Sot, pas 30 vitesh, kreu i shtetit, Meta, thotë se përpjekja e Shqipërise për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE, përkon me detajin interesant, që presidencën e BE e merr Gjermania.

“Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë.

30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane. 🇩🇪🇪🇺”, shkruan Meta.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar hapjen e ambasadës gjermane, ku u strehuan mijëra qytetarë shqiptarë për t’i ikur diktaturës.

Në një mesazh në Facebook ai shkruan se kjo ditëshënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët.

Basha thekson se ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë.

“Ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa”, thotë kreu i PD, teksa kujton dhe emocionet si 16-vjeçar në 1990.