Flash News

OP-ED

Rama dhe Ademi, të pa zgjedhur por në detyrë

Rama dhe Ademi, të pa zgjedhur por në detyrë

Fabian Topallaj

Me kot Enkel Demi i ka kërkuar llogari Erion Veliajt gjatë një interviste për mënyrën e menaxhimit të situatës shkaktuar nga koronavirusi i ri në Tiranë. Që prej 30 qershorit Edi Rama është jo vetëm kryeministër por edhe kryetar i të gjithë bashkive në vend, me përjashtim të Shkodres. Dhe kjo për shkak të rastësisë që kandidatit të PS-së atje ju zbulua e shkuara kriminale përpara se të merrte mandatin.

Rama sot merr çdo vendim në këtë vend, si në nivel qendror dhe atë vendor, pavarësisht nëse jemi në periudhë normale apo të jashtëzakonshme. Madje edhe propagandën qeveritare e ka monopulizuar me imazhin e tij personal. Centralizimi arriti deri aty saqë gjatë emergjencës së tërmetit, Rama i specifikoi detyrat Erion Veliajt duke saktësuar se kryebashkiaku i Tiranës ka kompetencë vetëm lyerjen e shkallëve të pallateve, asgjë më shumë se kaq. Imagjinoni ndërkohë kryebashkiakët e tjerë se sa të drejta dhe decentralizim mund t`i lejonin vetes pas kësaj ndodhie me homologun e tyre të kryeqytetit.

Vendimi absurd për të mos hyrë ne zgjedhje që i dorëzonte në tavolinë Ramës pothuaj të gjithë pushtetin vendor, ka bërë që Rama të jetë sot edhe kryetar bashkie anë e mbanë Shqipërisë. Kjo sepse kryebashkiakët nuk janë të zgjedhur nga populli por të përzgjedhurit e tij.

Në një situatë normale Rama nuk do guxonte t`i kujtonte gjumin kryetarit të PD-së vetëm pse ai bën propozime për kapërcimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike që ka shkaktuar Covid-19. Ai mund të mos i dakordësonte ato propozime, por jo të tallej me to. Braktisja e institucioneve e ka zvogëluar tej mase opozitën. Nëse ajo do të qe në parlament, Rama do të kish nevojë për konsensusin e saj të paktën për ndëshkimet që ai propozon të shtojë në kodin penal.

Është ironike që edhe pse i vetmi qytet pa një kryetar të zgjedhur, Shkodra sot është i vetmi që ka një kryetar bashkie jo vetëm në kuptimin formal. Pluraliteti i pushteteve atje është shembulli me i qartë se Demokracia ka vetëm një rrugë, atë që kalon nga pranimi i sistemit dhe rregullave te tij.

Kjo është arsyeja që kryetaren e bashkisë Shkodër jo vetëm nuk guxon ta qesëndisë, siç bën me përfaqësuesit e tjerë të opozitës, por edhe i plotëson kërkesat, siç ishte rasti i shkarkimit të prefektit të Shkodrës.

Të fundit