Rama dhe Zaev ‘ndahen’ në qëndrime për ‘Jo-në’ nga Bashkimi Europian

Për kryeministrin Edi Rama nuk ka zgjedhje të parakohshme edhe nëse Shqipërisë i refuzohet hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Qëndrimin e tij e deklaroi mbrëmë në një lidhje direkte në emisionin ‘Open’ me gazetaren Eni Vasili, ku tha se jo vetëm që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, por puna për ta çuar vendin përpara do të vijojë edhe më intensive.

“Ne jo vetëm që nuk do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por do të vazhdojmë punën tonë. Në datën 19 dielli do të lindë përsëri. Shqipëria nuk ka pse shkon në zgjedhje të parakohshme se Shqipëria nuk i ka lënë mangut asgjë këtij procesi. Nëse zgjedhjet e parakohshme do të zgjidhnin problemin midis Francës dhe Gjermanisë do ta mendoja seriozisht”, tha Rama mbrëmë në ‘Open’.

Tonet e ashpra nuk munguan kur gazetarja Vasili iu drejtua se kishte premtuar hapjen e negociatave me BE që në vitin e parë të qeverisjes, ndërkohë që 6 vite më pas kjo nuk ka ndodhur ende.

“Pse nuk u hapën (negociatat) kur u tha që do të hapen, këtë shkoni dhe kërkojani presidentit të Francës. Nëse Komisioni Evropian do të thoshte se nuk i ka plotësuar Qeveria kushtet, atëherë mund të më kërkoni llogari mua”, tha kryeministri.

Ndërsa kryeministi i Maqedonisë ka qëndrim krejt të kundërt me Ramën.

Zoran Zaev ka paralajmëruar se do të dorëhiqet nga posti nëse nuk konfirmohet hapja e negociatave për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për tanjug.rs Zaev tha se qeveria do të shkatërrohej nëse Maqedonisë së Veriut i thuhet ‘Jo’.

 “Alternativë për ne nuk ka, ne nuk mund të heqim dorë nga BE-ja sepse BE-ja është ardhmëria jonë. Sipas të gjitha gjasave do të shkatërrohet qeveria në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të vijë dikush tjetër dhe do ta vazhdojë atë rrugë. Sepse ne pikërisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian kemi ndërruar dhe emrin, kemi arritur Marrëveshje me Bullgarinë dhe Greqinë, kemi shënuar përparim në marrëdhëniet me Serbinë, me Shqipërinë, me Kosovën, që janë fqinjët tanë”, ishte qëndimi i Zaev.

Sot media italiane Ansa raportoi dorëheqjen e tij, duke u bazuar në burime diplomatike nga samiti i BE. Megjithatë lajmi nuk është konfirmuar ende nga burime të kryeministrisë.