Rama e akuzoi në foltoren e parlamentit, ky është rasti dhe gjyqtari që solli reagime

Kryeministri Edi Rama mendon se ka ardhur koha që të merren masa ekstreme ndaj të gjithë prokurorëve apo gjyqtarëve që kryejnë vepra kriminale në punën e tyre. Teksa po fliste për vetingun në parlament, ai sulmoi me tone të ashpra edhe një gjyqtar që abuzoi me ligjin duke vënë në rrezik jetën e një gruaje te re dhe favorizoi ish-bashkëshortin e saj.

Akuzat e tij lidhen me rastin e djeshëm të publikuar në Top- Channel ku një nënë e dy fëmijëve akuzoi drejtpërdrejt gjyqtarin e Shkallës së Parë Martin Deda se ka dhënë një urdhër mbrojtje në kundërshtim me ligjin për ish-bashkëshortin e saj.

Gjyqtari Deda edhe pse një tjetër koleg i tij kishte dhënë më parë një urdhër mbrojtje për zonjën, ku thoshte se , ish-bashkëshorti nuk duhet t’i afrohej shtëpisë dhe asaj 100 metra, pas dy ditësh i dha ish bashkëshortit një tjetër urdhër mbrojtje të menjëhershëm, ku i jepte “OK” që të futej në shpi dhe ish-bashkëshortja të mos e shqetësonte .

“Është koha të marrim masë ekstreme, po aq sa është veprimtaria e këtyre kriminelëve, në prokuroi, gjykata, rrugë që janë bashkë e bëjnë të njëjtën gjë edhe kur nuk janë bashkë. Ca është ky që vë në mbrojtje burrin dhe kundërshton vendimin që ai nuk duhet ti afrohet gruas pasi e ka bërë gjysmë njeriu? Është një kokërr krimineli. PO të ishte e njohura juaja ajo, do vinit këtu e do i binit qeverisë, ose do vinit e do thoshit fjalim emocional, si ky imi, që nuk vlen asgjë nëse nuk veprojmë. Nuk lejojmë ne më që vendi të mos bëjë kapërcimin e fundit historik në raport me këta palaco, në prokurori, gjykatë e rrugë, të jeni të sigurt që do ta marrim mbështetjen, nga populli nuk diskutohet por edhe nga partnerët”- tha Rama.

Tirananews.al mëson se flitet për shtetasin me inicialet M.Rr 41 vjeç lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në Tiranë që është pajisur me urdhër mbrojtje vendimi më datë 25. 09.2019 me gjyqtar Martin Deda.