Flash News

KRYESORE

“Rama foli sot si doganier i Serbisë”

“Rama foli sot si doganier i Serbisë”

Kryeministri Edi Rama tha gjatë konferencës së përbashkët me homologun kosovar Avdullah Hoti se gjatë javëve të ardhshme, do të bëhet i mundur kalimi i Portit të Durrësit në dispozicion të Kosovës.

Sipas tij, kjo marrëveshje do të nënshkruhet javët në vijim dhe do të mundësojë që mallrat dhe produktet që mbërrijnë në Portin e Durrësit dhe kanë destinacion Kosovën, të trajtohen përmes autoriteteve doganore të Kosovës.

Themeluesi i Vetëvendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi e ka ironizuar këtë deklaratë, duke e krahasuar kryeministrin se sot foli si doganieri i Serbisë.

“Edi Rama na tregoi sot se si Shqipëria do fitojë nga përdorimi i Portit të Durrësit prej Serbisë, dhe se si sipas tij këtë e di çdo ekonomist. Në fakt çdo ekonomist me dy pare mend e di që buxheti i shtetit dhe mirëqenia rriten kur rritet prodhimi e punësimi i një vendi. Çdo ekonomist e ka të qartë se Serbia ka ekonominë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, dhe se Shqipëria ka aktualisht një bilanc tregtar negativ me Serbinë.

Çdo ekonomist e kupton se me hapjen totale të tregut shqiptar ndaj Serbisë ky bilanc negativ do përkeqësohet përmes vërshimit të mallrave serbe në tregun shqiptar, duke goditur sektorët e prodhimit dhe punësimin.

Çdo ekonomist e di se Porti i Durrësit në funksion të Serbisë vetëm sa e lehtëson ekspansionin dhe dominimin ekonomik të Serbisë në Kosovë e Shqipëri. Çdo ekonomist e kupton se të ardhurat që do nxjerrë dogana e Portit të Durrësit nga mallrat e Serbisë do jenë kosto që do i faturohet në fund shqiptarëve që do u shkatërrohet potenciali prodhues e punësimi. Mirëpo Rama nuk foli sot si ekonomist por si doganier. Rama foli sot si doganier i Serbisë”, shkruan Abazi.

Të fundit