Rama ftesë Bashës për Refromën Zgjedhore: Do ishte mirë të ulemi, merrmi ose jo vesh është gjë tjetër

Kryeministri Edi Rama i ka bërë një ftesë të hapur kreut të opozitës, Lulzim Basha lidhur me Reformën Zgjedhore, përmbushja e së cilës skadoi në afatin e përcaktuar në 31 maj.

I pyetur nëse është i gatshëm të takohet me kryedemokratin Basha, Rama tha se do të ishte mirë të takoheshin me njëri-tjetrin, ndërsa kujtoi se edhe kur ai ishte në opozitë ishte ai që drejtonte ftesa për t’u ulur në tryezë.

“E kemi mbaruar punën tonë, besojmë se produkti është aty. Mos më bëni të komentoj ju lutem mendoj se nuk më ka ardhur radha për të komentuar unë përsa kohë janë përfshirë tjerë në këtë proces, mendoj se do ma falni një shtyrje në disa orë të zotimit për të folur sot.

Nuk është e hijshme për ne që në 2020 mes palëve që zhvillojnë një ndeshje ulen e bien dakord të bëhet me ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër dyer të selive të partive. Tani kanë ndërruar pozicionet, kur isha në opozitë kërkoja të uleshim, tani kryeministër kërkoj të ulemi, mos të bëj komente se lodhim njerëzit, u lëmë hapësirë sajesave me informacione qëllimisht për denizforimim. Do ishte normale të uleshim, merremi ose jo vesh është gjë tjetër, por nuk jemi ende aty”, tha Rama në bashkëbisedim me gazetarët.