Flash News

OP-ED

Rama i "pathyeshëm" përballë Bashës "së dobët"

Rama i "pathyeshëm" përballë Bashës "së

Fitim Zekthi

Në politikë kurrë nuk ka patur dhe as nuk fitore të plota, siç nuk ka patur kurrë dhe as nuk do ketë humbje të plota. Edhe liderë që zotëronin gjithçka si faraoni që thoshte "Jam Zot!", si mbreti Nemrud që thoshte se jepte jetë dhe vdekje, si Hitleri, si Musolini, si Çaushesku, si Honeker, si Gadafi që dukeshin të paprekshëm, kanë rënë në mënyra shumë poshtëruese.

Edhe gjendja e sotme në Shqipëri, ndonëse ka njerëz që mendojnë se kryeministri Rama është shumë i fortë, është e ngjashme me gjendjet e atyre që kanë rënë, kur edhe ata vetë nuk e mendonin kurrë.

Lidhjet me krimin dhe kriminalizmi i politikës duket se janë aq të ngatërruara dhe aq të pazgjidhshme për kryeminstrin Rama, sa ai edhe nuk bën dot pa to, por edhe nuk mund të shkëputet kurrë prej tyre. Kjo lidhje, që e ka ndihmuar të vijë në pushtet dhe, që e bën të duket shumë i fortë, kjo lidhje që duke e ndihmuar të marrë pushtetin dhe zgjedhjet, i ka krijuar mundësinë të marrë nën kontroll të plotë ekonominë, institucionet, mediat etj., do të jetë edhe ajo që do ta rrëzojë. Është rasti i zakonshëm, i vjetër, i gjithmonshëm i paktit me djallin që çon vetëm në një rezultat, në humbje.

Rasti i Shkodrës, rasti i kandidimit dhe i mbrojtjes me forcë të kandidatit Valdrin Pjetri dhe sidomos vijimi më pas me mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke dërguar si "kujdestar" për këtë mbledhje deputetinTom Doshi, tregon pikërisht këtë gjë, tregon lidhjet e pazgjidhshme të Ramës dhe të mënyrës së tij të qeverisjes me botën që vjen nga krimi, ose me botën që sjell pushtetin e krimit në politikë. Rasti i Shkodrës tregon se rënia e Ramës do të vijë domosdoshmërisht nga kjo lidhje.

Ashtu siç rënia e Ramës do të vijë nga kjo lidhje me krimin, po ashtu ardhja e Bashës do të vijë nga lufta ndaj kësaj lidhjeje, dhe nga mbajtja larg e të gjithë pushtetit të kësaj bote kriminale nga PD.

Sot Shqipëria, nga një pikëpamje e shkencave politike, është plotësisht një vend autokratik ku të gjitha pushtetet dhe të gjitha institucionet kontrollohen nga një njeri, por forma jonë e autokracisë ka një element rrallë të dëgjuar në botë. Ka elementin e thirrjes së fuqisë së krimit, të fuqisë së trafikut të drogës dhe korrupsionit që vjen nga ai në politikë.

Një qeverisje autokratike ka një lider ose një grup njerëzish të cilët marrin nën kontroll të gjitha pushtetet, atë ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Të gjitha institucionet shtetërore nisin gradualisht të identifikohen me autokratin që është në krye. Juan Linz i universitetit të Yale-it thotë se liritë politike ngushtohen, media vihet nën kontroll të qeverisë, vendimmarrja ka për bazë ligjore më së shumti emocionin e liderit, reagimi i njerëzve shtypet ose dobësohet me mjete të tjera.

Autokracia, kur zgjat, mund të mbërrijë në totalitarizëm. Rasti ynë, rasti i 'autokracisë Rama', duke patur elementin e përfshirjes së krimit dhe të trafikut të drogës në politikë, është shumë më problematik dhe shumë më i rrezikshëm për shoqërinë, shumë më i vështirë për t'u përballur nga opozita dhe njerëzit, por edhe shumë më i rrezikshëm për vetë qeverinë dhe kryeministrin.

Partia Demokratike në opozitë ka gjashtë vite që po përpiqet të reagojë, të kundërshtojë këtë formë qeverisjeje që, sa vjen edhe bëhet më autokratike. Rezultatet e kësaj përballjeje, ndonëse të sulmuara egërsisht nga propaganda e qeverisë dhe nga drejtime të tjera, nuk janë të vogla.  Ndoshta kjo përballje tashmë është në fazën fundore. Rasti Shkodra ose rasti Pjetri, që u denoncua nga PD, e shtyu edhe një shkallë më afër mbylljes këtë betëjë. Përballja me këtë dimension të qeverisjes këto gjashtë vite ka bërë që PD të fokusohet fuqimisht thuajse në vetëm këtë gjë, ose të paktën gjithë veprimtaria e saj te gjërat e tjera është mbuluar apo mjegulluar nga zhurma e fortë e denoncimit të këtij dimensioni të qeverisjes. Ka qenë e detyruar. Ky dimension është burimi i shumëçckaje që shkon keq, është motori i makinerisë së qeverisjes.

Ndaj opozitës, edhe për shkak të këtij fokusimi, ka patur skepticizëm të madh në lidhje me çfarë ajo është, apo në lidhje me çfarë ajo sjell. Ka qenë e vështirë, dhe është e vështirë, në kushtet e një politike ekstremisht konfliktuale, ku opozita sulmon qeverinë për lidhje me krimin dhe me drogën dhe ku qeveria sulmon vetëm opozitën për dështimet e saj në ekonomi, në integrim, në punësim, në rend etj., që të kuptohet se ku dallojnë, që të vihet re dallimi mes këtyre dy formacioneve. Mark Lazar, një politolog në Science Po, Paris, thotë se kur ka konfliktualit të lartë e vërteta mjegullohet, zhbëhet, fshihet. Njerëzit nuk kuptojnë në cilën anë është e vërteta, nuk kuptojnë dallimet. Sigurisht, që edhe propaganda e qeverisë ka punuar që ky dallim të mos duket kurrë. Madje në disa raste ajo ka shtyrë përpara idenë se Rama dhe Basha janë dy të këqija, dy gjëra njësoj.

Kështu që shumë njerëz kanë pyetur dhe pyesin nëse ofron opozita diçka ndryshe, a është ajo diçka ndryshe nga qeveria e kryeministrit Rama. Pavarësisht se Partia Demokratike mund të jetë në vështirësi të mëdha për shumë arsye, pavarësisht se PD mund të ketë bërë gabimet e saj, këto vite (dhe ka bërë sigurisht), ajo është krejt ndryshe nga Partia Socialiste dhe qeveria e kryeministrit Rama.

Gjëja e parë e madhe e ndryshme e PD-së dhe e kryetarit të saj Basha nga PS dhe Rama është se ai nuk ka dëshmuar të ketë ndonjë lidhje me ndonjë trafikant droge, me njerëz që vijnë nga bota e krimit. Ai nuk ka kandiduar askënd për shkak se ai është “i fortë”, për shkak se zotëron një rrjet banditësh, për shkak se ka fuqi kriminale që mund të vërë në dispozicion të fitores së pushtetit.  Pra, nuk ka patur një derë të hapur për trafikun e drogës dhe për njerëzit e kësaj bote në PD nga Basha.

Gjëja e dytë e madhe e ndryshme e Lulzim Bashës nga Rama është se ai, kurrë, nuk i ka thirrur dhe as mendohet se do t’i thërrasë ndonjëherë njerëzit të sulmojnë kryeministrinë apo institucionet. Aq më tepër t’i thërrasë dhe t’i lërë të bëjnë ç’të duan, të sulmojnë me hunj, dhe me tulla policinë. Këto janë dy dallime paradigmatike krahasuar me kryeministrin Rama. Pavarësisht përpjekjes pa bereqet, të Ramës dhe qeverisë, për të thënë se PD përdor molotov në protesta, është e qartë se protestat kanë qenë plotësisht paqësore. E kundërta është e vërtetë. Policia ka bërë propagandë, ka hedhur gaz rëndshëm dhe ka arresuar njerëz në një masë aq të madhe sa ia ka kaluar Francës ku protesta thyen dyqane, djeg makina, dëmton simbolet kombëtare, plagos policë, qytetarë etj.

Pa këto dy dallime gjithë lufta e Bashës dhe PD-së ndaj lidhjeve të qeverisë me krimin do të ishte kot dhe nuk do të kishte asnjë rezultat. Pa këto dy dallime rasti Shkodra ose Pjetri, apo rastet e mëparshme Roshi, Ndoka, Prenga, Frroku, Xhafaj, Tahiri, Dako etj nuk të kishin asnjë rezultat.

Sigurisht që autokracia e ngritur nga Rama, nuk bën dot pa elementin vet vital, lidhjen me krimin dhe trafikun. Rasti i Shkodrës, ku jo thjesht kandidimi me forcë i Pjetrit, jo thjesht mbrojtja e këtij kandidimi nga Rama, por mbajtja e përdhunshme e mbledhjes së Këshillit imagjinar Bashkiak, nën kujdestarinë e deputeteit Doshi, tregojnë se "vdekja" e pushtetit të Ramës do të vijë nga kjo lidhje.

Në qoftë se opozita do të ishte një gjë që ngjan me PS dhe Ramën në këtë qasje, atëherë asgjë nuk do të prodhonte rezultat. Nga ana tjetër e kësaj lidhjeje qëndron një opozitë e sulmuar, e rrahur, e fyer, por e ndryshme. E ndryshme sidomos në gjënë më domethënse. E ndryshme se nuk ka asnjë lidhje me krimin dhe trafikun, se nuk ka kandiduar asnjë njeri të lidhur me drogën, të lidhur me botën e krimit, dhe e ndryshme sepse nuk i nxjerr njerëzit verbtaz, vetëm, tinëzisht, të sulmojnë policinë dhe institucionet për të prodhuar një "21 janar" ("demonstratën popullore imagjinare") për qëllime pushteti.

Sado të ketë skepticizëm apo mosbesim ndaj kësaj opozite, asaj i duhet njohur kjo meritë dhe nuk është fare e lehtë në kushtet e sotme të bëhet kjo lloj beteje.

 

 

Të fundit