Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Rama ia ka ofruar. A do të jetë Jozefina Topalli presidentja e parë e Shqipërisë?
Alfred Lela
"Pse duhet të jetë socialist presidenti i ardhshëm i Republikës?". Kjo fjali e thënë si me shkujdesje nuk e kapi të shkujdesur drejtuesin e Real Story, gazetarin Sokol Balla, të premten 28 qershorit në taracën e hotel 'Bolonja' në Vlorë, nja një orë pasi kryeministri kishte mbyllur mitingun final të fushatës për 'zgjedhjet' e 30 qershorit dhe ishte ulur me Ballën dhe analistët e studios së tij për një 'dorë të fundit dominoje politike'.
'Si? Si thatë?, ia ktheu Balla. Interesi për presidentin jo socialist u zbeh më pas para ndërhyrjeve për 'lojna' të tjera që priten gjatë verës e deri në shtator, kur do të hapet një tjetër sezon, jo vetëm parlamentar dhe politik i Shqipërisë së tranzicionit, por me gjasë do të bjerë, e rëndë dhe ndëshkuese, edhe perdja e tij.
Ndërkohë që Real Story ka mbyllur siparin për këtë sezon, një tjetër story 'real until proven otherëise' pluskon në sfondin e zhvillimeve politike. Edi Rama ia ka ofruar Jozefina Topallit postin e presidentes së Republikës. Këtë pohim, disa burime të Politiko, që vijnë nga të dy krahët, afër me zonjën Topalli dhe me rrethet afër kryeministrit, e artikulojnë si të padyshimtë. Që do të thotë: oferta është bërë nga kërkuesi dhe e kërkuara nuk e ka përjashtuar mundësinë, madje është përkëdhelur prej saj.
Cilat janë llogaritë që bëhen dhe ato që nuk dalin në këtë skemë, duhet thënë brilante të Ramës, për të gjetur valvula shkarkimi, por edhe publicity stunts?
Rama, së pari bën atë që preferon më shumë: e godet kundërshtarin duke promovuar segmente të tij. E ka bërë këtë me Visar Zhitin kur 'e nisi' Ambasador për në Vatikan dhe kur Sali Berisha, i cili nuk urren asgjë më shumë se sa kur kundërshtari i promovon të vetët, duhet të ketë fryrë në veshët e Nishanit më shumë erëra se Poseidoni kur zemërohej me të vdekshmit tekanjozë, e ndali arbitrarisht shugurimin Ambasador të një ish-të përndjekuri politik.
Po ashtu me Majlinda Bregun kur nuk e pengoi, madje e promovoi (duke mos hequr këtu asnjë pikë nga meritat e Bregut), dhe ish-ministrja demokrate përfaqëson sot një zyrë të lartë europiane në rajon.
Nuk ia përtoi kësaj as me Ridvan Boden, ish-ministrin demokrat që, personalisht, e promovoi drejt e në Bordin e Bankës së Shqipërisë.
Jozefina Topalli do të ishte diversioni më i dhimbshëm për Bashën, Berishën e të tjerë në PD, sepse Rama do të luante në disa rrafshe me emërimin e saj në krye të shtetit. Topalli do të ishte gruaja e parë presidente e Republikës; do të çonte një katolike Shkodre në zyrën më të lartë të shtetit; do të promovonte një kundërshtare politike të vjetër dhe një hierarke të lartë të PD, duke e bërë kështu Ramën kalorës të një Urdhri garën e të cilit e pat humbur një herë, 'përtej të majtës e të djathtës'.
Topalli do të rezonote fort edhe me një impas të krishterë në kupolën e PD. Lulzim Basha, ndryshe nga Berisha që, si Ahmet Zogu, ishte gjithnjë i kujdesshëm dhe elegant me balancat fetare, nuk ka asnjë katolik apo ortodoks në kupolën drejtuese të PD (Sekretariatin Ekzekutiv).
Edhe pse ka qenë i papërgatitur për këtë përpjestim, Basha duhet të dalë nga përgjumja sa i takon Topallit. Nëse Rama e hedh si ofertë publike emrin e ish-kryeparlamentares, Basha, po publikisht, nuk do mundet ta refuzojë. Nëse e bën këtë ai i ofron një krye të fortë dhe të hijshëm opozitës parlamentare që deri më tash, si një hidër mitologjike, ka disa koka dhe asnjë drejtim. Nuk e ka luksin kryetari i PD të vrasë, në sytë e të huajve, as paqen që ofron Rama me emrin e Jozefinës, dhe as një ish-hierarke të partisë së vet.
Jozefina mund të jetë emri i parë në 'listën e hapjes' së partisë që Basha duhet të ketë në plan të hartojë, në vitin e fundit para zgjedhjeve parlamenate të radhës. Që janë edhe shansi i tij i fundit.