Flash News

KRYESORE

Rama, kazani dhe dibranët

Rama, kazani dhe dibranët

Sami Curri

Për tri ditë me radhë në Dibër dhe Mat, na nderoi me ardhjen e tij kryeministri Rama. Në fakt, është e para herë në historinë e tranzicionit të tejzgjatur politik të post ’90-ës, që në Dibër zbarkon kabineti qeveritar, e kjo ku ka më mirë.

Kjo formë e takimit me popullin që kryeministri Rama kishte zgjedhur në Dibër, për të hapur sagën e bashkëqeverisjes me qytetarët, më ngjasoi më shumë si një zgjatim i fushatës, ku Rama nuk kishte lënë tepsi, tenxhere, legena, kusi, kova, pa marrë me vete. Dibranët i qanin hallin e papunësisë, kryeministri ju tregonte tepsinë që po mbante peng vendin.

Perla e takimit në Peshkopi ishte një banor nga Krasta e Martaneshit, që butësisht dhe me pamjen e një hallexhiu, i shprehu kryeministrit hallin e tij dhe të gjithë banorëve të fshatit prej nga vinte, që një kompani po ju merrte ujin e pijshëm dhe vaditës për të ndërtuar një HEC. Por, kryeministri ynë, largpamës dhe si dëgjues i mirë që është, gjeti një përgjigje, i tregoi banorit që të shkonte e ta raportonte rastin te portali “Për Shqipërinë që duam”.

'Bir Selmani nënës kë të qaj më parë'! Pra, banori duhej ta kapte veshin për së mbrapshti, ta raportonte te portali hallin e tij, e më pas kjo t’i shkonte qeverisë, kur këtë të fundit e kishte përballë. Një nga shumë gjetjet interesante të Ramës, për të bërë show e gallatë me qytetarët, zakoni dhe gjetja e fushatës.

Si mund të ngelej me kaq!? Po të vish në Dibër e të mos flasësh për Rrugën e Arbrit nuk shkon, s’mund të pranohet një gjë e tillë. Më kujtohen çjerrjet e Ramës në Dibër këtu e katër vite më parë, votoni për Partinë Socialiste që të bëjmë realitet ëndrrën e dibranëve, ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Por ç’e do, kaluan katër vite dhe për ëndrrën e dibranëve nuk u punua as edhe një kilometër rrugë.

Për këtë fajin e ka Saliu!

S’e kam kuptuar, s’e kuptoj dhe s’do ta kuptoj se pse akoma merret me Saliun në Dibër, kur këta të fundit ja kanë dhënë goditjen me votë një herë e mirë, duke e çuar Partinë Demokratike forcë e tretë në Peshkopi. Dibranët janë aq të zgjuar sa nuk mund të gënjehen me justifikime bajate për atë se çfarë nuk është bërë në katër vite. E në fund, as më pak e as më shumë, po ajo kompani që ishte katër vite më parë që ndërtoi ato pak kilometra nga Rruga e Arbrit,është shpallur fituese e tenderit.

Shfaqja “one man show” nga kryeministri vazhdon, me të vetmin që bredh nga Peshkopia në Bulqizë dhe që e mbyll në Mat, shoqëruar me argumentet që vetëm ai di t’i japë, të tepsive, tenxhereve e legenave.

Erdhi në Bulqizë, foli sërish për Rrugën e Arbrit, por këtë herë me shpjegimin 3D të gjurmës së rrugës. Salla në delirin e momentit, me mundin dhe lodhjen e tmerrshme që heqin me rrugën ekzistuese, në ato momente filluan të mendonin se rruga është ndërtuar dhe lum si ne që ia mbërritëm kësaj dite.

Jo, ishte veç një ekran i stërmadh, vendosur në sallën e kinemasë së periudhës së socializmit, që si dikur propagandonte arritjet e pushtetit, dhe sot më në fund, virtualisht, kishim të ndërtuar Rrugën e Arbrit. Rama e dha “besën” në sallë, kjo rrugë pas tre vitesh do të bëhej realitet, por ne dibranët duhej t’i gëzoheshim që tani, ja ku e kishim 3D në ekranin e stërmadh të Rilindjes, në sallën e socializmit, pa ndriçim dhe të ftohtë.

A do ishte e pranueshme që Rama të vijë deri në Dibër dhe të mos hajë një drekë me groshë Bulqize?!

Regjia gati, njerëz të lumtur, Rama si një lider largpamës që dëgjon hallet e popullit, pasi piu një dolli rakie ballkazani, ju shkrep në kokë se kishte harruar të përmendte kazanin mediatik edhe në Dibër. Këtë herë boll më me kazanin mediatik të Shqipërisë, e kaloi detin e shkoi në Itali. U mor me emisionin investigativ “Le Iene” që pak ditë më parë trajtoi rastin e fëmijëve të Bulqizës që punojnë në stogjet e kromit: “Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën me filmime të vjetra, me fëmijët që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht, sot nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por nuk është më. Po ishin filmime të vjetra mooo… edhe e nxjerrin atje” – u shpreh Rama.

Kjo është që bulqizakët t’i bësh budallenj me sy hapur. A ka njeri që se prek këtë situatë në Bulqizë?! Çdo ditë, mjafton që të dalësh në mëngjes edhe ta shikosh një gjë të tillë, por për kryeministrin ky problem nuk ekziston. Ufff në këtë realitet virtual, pas Rrugës së Arbrit do e lëmë, nuk ekziston, vetëm që kryeministrit t’i bëjë mirë grosha!!!           

Turi i “one man show” zbarkoi në Mat. Si ta harrojë Rama avazin. Populli qaj hallet, Rama merrru me burrat dhe gratë. Por, më duket se u largua me një pishmanllëk nga Mati; fakti që një 80-vjeçare, që kishte probleme me pagesën e energjisë elektrike dhe tokat e zëna nga hidrocentralet e Ulzës, e për më shumë kishte humbur shanset për të qenë deputete, dhe për këtë kritikoi strukturat e PS-së që nuk kishin punuar aq sa duhet në pikasjen dhe afrimin e talenteve të tilla.

Kështu u mbyll turi tri ditor i Ramës në Dibër. Rama u gajas, populli mendoi se qau hallet, e kryeministri bëri sikur j’ua zgjidhi.

*Autori vazhdon studimet Master për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai është nga Dibra.

Të fundit