Rama kundër të gjithëve, por Murrizin me vete. A është në shah apo vetasgjësim?

Alfred Lela

Kryeministri Rama është bërë ndjellës dhe motor i tensionit politik përgjatë dy javëve të fundit, me formimin e një aleance fluide me all Albanian rejects, opozitën parlamentare, (me ndonjë përjashtim të rrallë), dhe kursin e përplasjes, fillimisht me opozitën jashtë parlamentare dhe, eventualisht, me ndërkombëtarët.

Sigurisht, këtë titanikth që po shkon me kryeneçësi drejt ajsbergut, nuk mund ta ndalë cicërima e Bashës me thënien e presidentit Reagan për lirinë, nënkuptimin e së cilës, zyra e shtypit të PD e kish stolisur me më shumë armaturë se sa vetë shprehja.

Në këtë klimë, pyetja mund të shtrohet: a kërkon Rama ta çojë me turi në ajsberg anijen e PS, apo është thjeshtë një manovër që do të përfundojë me një frenim të fortë dhe ndërrim kursi drejt ujrash më të qeta?

Meqë askush nuk është në kokën e shefit të qeverisë, ia vlen të diskutohen disa opsione. Një deputet i opozitës parlamentare i tha autorit të këtyre radhëve se ‘Rama do e ka ndarë mendjen për ndryshimin e sistemit’, duke e arsyetuar hapjen e listave me trysninë që ai don t’u bëjë ‘legjionarëve’ të partisë së vet, duke i shtyrë të punojnë më ashpër nën presionin e emrave ‘të jashtëm’ me para, lidhje politike apo fisnore nëpër zona. Me anë të tyre, arsyetimi im ky, Rama synon të krijojë ‘toga ekzekutimi elektorale’ të cilat funksionojnë të pavarura nga krerët e qarqeve, por varen nga vetë Rama (me ata nga pas e vetmja alternativë është të shtyrit përpara). Këto toga i sjellin shportës së Ramës ato vota që nuk i marrin dot deputetët apo partiakët e tij, duke mbledhur kësisoj edhe hatërmbeturit me partinë dhe shefin.

Me këtë mekanizëm, Rama ndërton një kombajnë elektorale që korr e mbledh edhe atë që nuk mundet ta bëjë PS plus Rilindjen.

Duke i dhënë në të njëjtën kohë një shans lëvizjes së re politike që pritet të dalë nga një pjesë e deputetëve, që mbetën apo u futën në Kuvend nga listat e PD, kryesuar nga Murrizi, të cilët gjatë muajve të fundit e kanë patur më të lehtë të merren vesh me kundërshtarin Rama se sa me ish-kryetarin Basha.

Duke u bërë këtë favor, Rama arkivon me ta edhe mundësinë e një koalicioni paszgjedhor, nëse ia lejojnë shifrat, duke shpresuar se 2-3 prej tyre mund t’ia dalin përmes listave të hapura dhe influencës së drejpërdrejtë financiare apo fisnore.

Në një hipotezë të tretë, nëse i zëmë besë deklaratës së kryetarit të PD se kundërshtari i ka ofruar postin e kryeministrit, që ai vetë të bëhet president, Rama mund t’a përdorë të njëjtin grup edhe në një lëvizje finale që shkarkon Metën dhe ngarkon atë me detyrën e kryetarit të shtetit.

Nën këtë formulim Ramës i mbetet të caktojë një pasues, ta ‘shesë’ (po, partitë blihen e shiten në Shqipëri, si të ishin lopë) apo trashëgojë Partinë Socialiste te një tjetër politikan. Që të bëjë të gjitha këto kryeministrit i duhet të ketë idenë finale në kokë: provokimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vjeshtë dhe një ripropozim të vetes dhe PS nën dafinat e një formule të re.

Nuk është i panjohur ky formulim në politikën shqiptare, të paktën në prapaskenë, pasi një gjë e ngjashme u propozua për Berishën në vitin 2013, kur ai kërkonte mandatin e tretë. Berisha mund ta synonte mandatin historik, por nëpërmjet një të përzgjedhuri, atij që më vonë e pasoi në krye të partisë, Bashës.

Duhet të ketë shah, poezi ose vetasgjësim në kursin i vetëm kundër të gjithëve, por Murrizin me vete, që ka zgjedhur Rama këtë verë të çmendur me zheg, Covid dhe asgjë.