Flash News

KRYESORE

Rama i naftëtarit dhe Edi i Trumpit

Rama i naftëtarit dhe Edi i Trumpit

Alfred Lela

Teoritë e psikologjisë pranojnë se njeriu ka 'personalitet të shumëfishtë'. Gjithkush mund të habitet nga një shok apo i afërm, që një ditë të bukur demonstron një sjellje krejt të kundërt me atë që jemi mësuar zakonisht.

'Personaliteti i shumëfishtë' dhe tekat e tjetrit i ka detyruar njerëzit të shpikin parimin 'pranoje tjetrin me të metat, ashtu siç është'. Këtë bëjmë vazhdimisht. Me anë të këtij mekanizmi i shmangim konfliktet. Kur nuk veprojmë kështu, zihemi, urrehemi dhe e shmangim njëri-tjetrin. Vlerën e këtij parimi e meriton edhe Edi Rama. Edi Rama si njeri, por jo Kryeministri, statusin e të cilit ka veshur prej thuajse 5 vjetësh.

Edhe ai shfaqet herë pas here me personalitet të dyfishtë.

Edit, publicist dhe intelektual të fillimviteve '90, i falet. Ramës si funksionar i lartë publik, ministër, kryetar Bashkie dhe Kryeministër, i kërkohet llogari. Sepse, na detyron një parim tjetër, i cili thotë se funksionarët publikë duhet të demonstrojnë përgjegjshmëri dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Për një arsye fare të thjeshtë: janë të zgjedhur në postet e tyre nga populli dhe i ushtrojnë detyrat publike si pasojë e këtij vullneti, që përfshin edhe kostot financiare, të cilat i paguajnë qytetarët në formë taksash.

Në Perëndim ky model ka krijuar raportin përgjegjësi publike - popull.

Kryeministri Rama shfaq shenja të mosnjohjes së këtij raporti. Ai, me sa duket, jeton ende në botën e intelektualit radikal (njerëz që i shoqëron gjithmonë njëfarë 'papërgjegjshmërie') dhe nuk ka mundur, pavarësisht se është në politikë aktive dhe poste të larta prej 20 vjetësh, të bëhet funksionar publik.

Veç kësaj Rama shfaq edhe një kontrast tjetër që i dallohet në dy raste. I pari ndodhi sot gjatë një videokonference të Kryeministrit me naftëtarët e Ballshit. "Se vini ju në këmbë nuk është problemi im", i tha Kryeministri njërit prej naftëtarëve që i ankohej duke e shoqëruar 'mos më bëj Flamur Nokën aty nga vendi".

Një komunikim i tillë publik është shqetësues në dy nivele. I pari është se kreu i ekzekutivit u thotë taksapaguesve se problemet e tyre nuk janë shqetësimi i tij, dhe i dyti është se ai përdor kundër punëtorëve të thjeshtë, kundër hallexhinjve të Shqipërisë, gjuhën me të cilën sulmon kundërshtarët politikë në sallën e Kuvendit.

Kur sheh Kryeministrin që përdor këtë gjuhë, edhe pse nuk e ka për herë të parë këtë sjellje me hallexhinjtë, të vjen ndërmend një kryeministër tjetër. Që është po Edi Rama. Të dalin para sysh skenat e vizitës së tij në Berlin dhe takimi me Merkelin. Sidomos prania e tij në Samitin e NATO-s ku ishte edhe Presidenti amerikan Trump.

Ata që e kanë parë duhet ta mbajnë mend se si Kryeministri i Shqipërisë, plot gjeste me këmbë e duar dhe batuta të forta kur është me vartësit e vet dhe hallexhinjtë (si naftëtarët e sotëm), para Trumpit u shndërrua në 'pulë të lagur'.

Në fakt, jo para, por pas tij.

Kjo nuk gëzon asnjë shqiptar. Kundërshtarëve politikë të Ramës mund t'u hyjë në punë. Pavarësisht nga këndi dhe interesi i pamjes, një gjë nuk ndryshon: është e lehtë të jesh trim me të dobëtin dhe 'pulë e lagur' me më të fortin!

Parim i mirë nuk është.

Të fundit